Shqipëria

Ndrenika i shkruan Metës për teatrin

Aktori i madh, Robert Ndrenika, i ka shkruar një letër presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta lidhur me problemet e fundit për rrënimin e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë duke kërkuar nga ai që në këtë proces të mos përzihet politika.

Ndrenika thekson se partitë politike nuk duhet të trazohen në punët e teatrit, që është kthyer në një temë të nxehtë dhe të mbushur me debate, përcjell albinfo.ch.

“Deputetët dhe politikanët në këtë rast, janë qytetarë dhe më së shumti, spektatorë”, shkruan ndër të tjera aktori në letrën drejtuar presidentit citon  Gazeta Shqiptare. Ky reagimi i aktorit të madh  është bërë pas përleshjes që ndodhi në Komisionin e Medias, mes deputetëve të  PD-së dhe kryebashkiaku, Erion Veliaj.

“Duke parë në TV atë që ndodhi dje në komisionin e medias m’u forcua bindja, se partitë politike, nuk duhet të trazohen në punët e teatrit. Kam mendimin se kjo çështje, zgjidhet me bisedime midis komunitetit teatror dhe specialistëve. Deputetët dhe politikanët në këtë rast, janë qytetarë dhe më së shumti, spektatorë. Ndërsa qeveria “pa zhurmë dhe pa fjalë”, është e detyruar të fusë duart në qese dhe të nxjerrë paratë!!!”, ka thënë Ndernika.