Shkurt.ch

Një vit pas ndalesës së Burkas, më shumë turistë arabë se më parë!

Sot, kur bëhet bilanci njëvjeçar i këtij vendimi, rezulton se numri i turistëve nga shtetet arabe jo vetëm që nuk është ulur por ai ka shënuar një rritje prej 2 për qind

Saktësisht para një viti, gjegjësisht më 1 korrik 2016 në kantonin italishtfolës të Zvicrës, Tiçino, kishte hyrë në fuqi vendimin për ndalimin e  daljes me mbulesë të plotë (burka) në ambiente publike. Kjo ndalesë atëbotë kishte ngritur shumë zëra kundërshtues, veç tjerash theksohej frika se ky kanton me turizëm të zhvilluar do të anashkalohej nga turistët e pasur arabë, shkruan albinfo.ch.

Por sot, kur bëhet bilanci njëvjeçar i këtij vendimi, rezulton se numri i turistëve nga shtetet arabe jo vetëm që nuk është ulur por ai ka shënuar një rritje prej 2 për qind. Kështu bën të ditur zyra për turizëm, e këtij kantoni. Natyrisht, në njoftimin e zyrës thuhet se nuk munden ta dinë se si do të zhvillohej ky numër sikur të mos ishte ndalesa.

Por megjithatë, duket se pesimistët e kishin tepruar para një viti me prognozat e zymta. Fundja, turistët nga shtetet arabe këtu përbëjnë vetëm 2 për qind të numrit të përgjithshëm ndërsa në mesin e tyre është një pjesë e vogël që bartin burka, transmeton albinfo.ch mediat zvicerane.

Nga ana tjetër, numri i dënimeve të shqiptuara për mosbindje ndaj këtij vendimi ka qenë shumë i vogël. Gjithsej janë denoncuar 7 raste të shkeljes së ligjit, thonë nga autoritetet e kantonit. Po ashtu, grave që janë hasur me këtë mbulesë fillimisht u është tërhequr vërejtja duke iu shpërndarë një fletëpalosje me tekstin e ligjit. Ato pastaj janë lutur që të veprojnë në përputhje me ligjin. Por edhe kjo ka qenë e nevojshme në më pak se dhjetë raste në Lugano dhe Mendrisio.

Sipas autoriteteve, ligji përveç grave me veshje islamike dënon edhe demonstruesit që venë maska.