Uncategorized

Njeriu ‘më i fortë’ në Kosovë që ka thyer shumë rekorde

Ai është shpallur kampion i Kosovës dhe Shqipërisë në peshëngritje, derisa ka ‘ndalur e ngritur lart’ shumë vetura e traktorë.

Në Kosovë është një njeri shumë i fortë. Ky është Bujar Muli nga Vushtrria, i cili i ka mahnitur të gjithë me fuqinë e tij. Ai është shpallur kampion i Kosovës dhe Shqipërisë në peshëngritje, derisa ka ‘ndalur e ngritur lart’ shumë vetura e traktorë.

Muli, 30-vjeçar thotë në një intervistë për albinfo.ch se rekorde ka thyer që nga mosha 18-vjeçare. “Me këtë sport kam filluar të merrem që nga mosha 13-vjeçare. Rekordi im i parë ka qenë në moshën 18-vjeçare, ku kam arritur me ndal një ‘golf 2’, 1.9 dhe një ‘pasat’ 1.9, pastaj në moshën 21-vjeçare kam arritur të shpallem kampion i Kosovës dhe Shqipërisë në peshëngritje mbi 120 kg. Po ashtu edhe në vitin 2011 dhe 2012 jam shpallur kampion i Kosovës dhe Shqipërisë”, është shprehur ai për albinfo.ch.

Ai ka ngritur lart vetura dhe traktorë, madje deri në 2 mijë kg. “Në vitin 2013 kam marrë rrugën për në Francë, ku edhe atje kam thyer shumë rekorde, duke ngritur vetura, pastaj traktorin që peshon 1400 kg, 1700 kg, dhe 2000 kg”, theksoi tutje Muli, i cili njihet si praktikues i madh i fesë islame.

Por, ai nuk e ka ndërmend të ndalet dhe synon tjera rekorde. “Tashmë jam duke u përgatitur për rekordin e radhës dhe me ndihmën e Zotit besoj se do të kem sukses. Gjithashtu jam duke u përgatitur për një garë në Francë, derisa ëndrra ime është që të shpallem kampion i botës”, përfundoi Bujar Muli.

Ai është i njohur në Kosovë për fuqinë që ka, madje duke tërhequr edhe kampionë, apo duke ngritur lart vetura në lëvizje.