Lajme

Paralajmërohet fluks i madh refugjatësh  

UNHCR paralajmëron shtim të fluksit të refugjatëve në Maqedoni. Thuhet se gjatë natës në kufirin e Gjevgjelisë pritet të mbërrin rreth 7 mijë refugjatë afroaziatikë

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) paralajmëron autoritetet e Maqedonisë për një valë të re refugjatësh afroaziatikë që ia kanë mësyrë Evropës. Ky fluks prej 7 mijë personash pritet ta kalojnë sonte kufirin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, për të kaluar në drejtim të Serbisë.

Ndërkohë sipas policisë maqedonase, vetëm të dielën janë regjistruar mbi 1200 refugjatë që kanë hyrë në territorin e Maqedonisë nga kufiri jugor.

Në dy muajt e fundit, sipas të dhënave zyrtare mbi 53 mijë refugjatë kanë shfrytëzuar transit Maqedoninë për të kaluar në Evropën Perëndimore. Refugjatët rrugëtimin e tyre nëpër vendet e Ballkanit po e kalojnë pa pengesa të mëdha, por në Hungari dyert për ta janë të mbyllura, citon AlsatM.

Refugjatët të cilët kanë arritur të hyjnë në këtë shtet, tashmë dy ditë po protestojnë duke kërkuar të transportohen me tren drejt Gjermanisë.

Kriza me refugjatët ka shtyrë ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së që më 14 shtator të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme. Në një njoftimin e BE-së thuhet se gjendja e refugjatëve brenda dhe jashtë kufijve të Evropës është alarmante prandaj duhet gjetur një zgjidhje praktike.

Siç kanë raportuar mediet në rajon, por edhe albinfo.ch, refugjatët që vijnë nga Siria, Iraku, Afganistani e vendet tjera nga Lindja e Mesme, po ballafaqohen me botën e ndyrë të trafikimit. Atyre po u merren para të majme, kinse për t’i dërguar në Budapest, ndërkohë po i lënë nëpër qytetet tjera të Serbisë e Maqedonisë.

Në disa vende restorantet nuk i lejojnë t’i shfrytëzojnë tualetet, kurse një sim-kartele që kushton 2 euro në postë, atyre iu shitet deri në 20 euro. Gjithashtu edhe shitoret e shfrytëzojnë tmerrësisht keq refugjatët, duke u shitur një coc colë kanaçe, për 2 uro, që në tregun normal kushton 0.50 cent.