Integrimi

Pesë shqiptarë, kandidatë në zgjedhjet kantonale të St.Gallenit

Diaspora shqiptare e St. Gallenit ka një përvojë të mirë të organizimit të fushatave elektorale në mbështetje të kandidatëve të tyre

 

  • Adelina Muhagjeri

  • Jona Xhemajli

  • Etrit Hasler

Kantoni i St. Gallenit zgjedh me 28 shkurt 2016 parlamentin e ri kantonal. Në garë për të fituar një ulëse në Parlamentin e Kantonit tashme dihen pesë emrat e parë shqiptarë të listës zgjedhore të socialdemokratëve.

Krahas shqiptaro-zviceranit, Etrit Hasler, që kërkon edhe një mandat për periudhën 2016-2010, një tjetër kandidat shumë i votuar në zgjedhjet e fundit nacioanle, është nënkryetari partisë së SP-së për kanton, Arbër Bullakaj.

Në listën e SP-së është nominuar po ashtu edhe eksperti i migracionit dhe njohësi i mirë i diasporës shqiptare, Isuf Sherifi. Me Jona Xhemajlin si kandidate e radhës kemi bijën e politikanit nga Kosova, Emrush Xhemajlit. Ndërsa studentja, Adelina Muhaxheri është e bija e ish-aktivistit të LDK-së Gëzim Muhaxheri.

Bullakaj kandidon në zonën e Wilit, kurse Sherifi dhe Xhemajli janë në listat e zonës së St. Gallenit. Në zonën e Rorschach-ut, kandidon Adelina Muhaxheri.

Përveç Etrit Hasler që tashme është deputet i kantonit, Arbër Bullakaj sjell po ashtu një përvojë të mirë politike. Ai është ansambleist i komunës Wil dhe në zgjedhjet e fundit nacionale është renditur lartë në listën e SP-së me mbi 17 mijë vota.

Kësaj gare politike me mjaft seriozitet i është rrekur edhe aktivisti i hershëm me njohuri solide të organizimit të diasporës, Isuf Sherifi. Jona Xhemajli dhe Adelina Muhaxheri janë dy kandidate të reja që po ndërtojnë të ardhmen e tyre poltike në kuadër të artisë socialdemokrate.

Diaspora shqiptare e St. Gallenit ka një përvojë të mirë të organizimit të fushatave elektorale në mbështetje të kandidatëve të tyre. SP-ja është subjekti që me politikat e bashkëpunimit me komunitetin shqiptar, ka përfituar mjaftë votues të rinj me angazhimin e kandidatëve me prejardhje shqiptare. Së fundi kjo është parë fuqishëm përmes mbështetjes së Arber Bullakajt, i cili mori votat e më shumë se 17 mijë votuesve, kryesisht shqiptarë.