Bota

Rritje e numrit të refugjatëve të dyshuar për krime

Numri i të huajve, të dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale ka qenë 616.230. Refugjatët në këtë shifër marrin pjesë me 174.438 të dyshuar, ose me mbi një të katërtën, gjë që i nxjerr ata të mbipërfaqësuar në strukturën e përgjithshme të të huajve

Nesër, e hënë, ministri i brendshëm gjerman De Maziere, në një konferencë për media do të prezantojë të dhëna lidhur me shkallën e krimit në Gjermani gjatë vitit 2016. Ndërkaq, gazeta “Die Welt” i ka siguruar këto të dhëna dhe i ka publikuar sot në rrjet. Ajo që duket më “e nxehtë” në këtë raport, dhe ku janë fokusuar më tepër mediat gjermane që u referohen këtyre të dhënave, është rritja e shkallës së krimit me autorë të huajt, gjegjësisht refugjatët e ardhur në vend viteve të fundit.

Kështu, sipas statistikës që prezanton gazeta, rezulton se gjatë vitit që shkoi, numri i të huajve, të dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale ka qenë  616.230, transmeton albinfo.ch. Refugjatët në këtë shifër marrin pjesë me 174.438 të dyshuar, ose me mbi një të katërtën, gjë që i nxjerr ata të mbipërfaqësuar në strukturën e përgjithshme të të huajve.

Sipas “Die Welt”, krahas refugjatëve nga Ballkani, më aktivët në kryerjen e delikteve janë ata nga Afrika e Veriut. Në këtë kontekst më së shumti kanë rënë në sy algjerianët, marokenët dhe tunizianët. Shumë më pak se këta, të përfshirë në delikte janë refugjatët nga Siria dhe ata nga Iraku.  Por, duke qenë se numri i refugjatëve sirianë është më i madhi në mesin e të gjithë refugjatëve, edhe numri i delinkuentëve nga ky grupim është më i madh, ndonëse në përpjesëtim ai është më i vogël, përcjell albinfo.ch. Kështu, nga të gjithë, 174.438 të dyshuarit për delikte të ndryshme të kryera nga refugjatët, 30.699 janë sirianë. Pas tyre vijnë afganët, me 17466 të dyshuar, irakianët  12.202 dhe shqiptarët, me 9882 sish. Më tutje në listë janë algjerianët (8332) dhe marokenët (8226).

Sipas statistikës kriminalistike të Gjermanisë, krimi i dhunshëm, nga viti 2009 deri në vitin 2014 ishte duke shkuar në rënie. Kështu, rritja e tij në periudhën e fluksit të madh të refugjatëve (vitet 2015 dhe 2016) sipas kësaj statistike lidhet me këtë situatë të re.   Megjithatë, siç shkruan “Die Welt”, numri i madh i delikteve të kryera nga të huajt duhet të kuptohet në kontekstin real. Shumica e madhe e refugjatëve janë të moshës së re dhe janë meshkuj. Kjo kategori edhe te gjermanët dhe te të huajt më të hershëm është më aktivja në krininalitet.