Kosova

Sekuestrohen 135 kg marihuanë që kishte destinacion Zvicrën

Policia thotë se ka arritur të shkatërrojë një grup të organizuar të trafikimit me narkotik, ndërsa ka arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë ndalur si të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se ka sekuestruar 135 kilogramë narkotik të llojit marihuanë në operacionit policor të quajtur “Çelësi”.

Policia thotë se ka arritur të shkatërrojë një grup të organizuar të trafikimit me narkotik, ndërsa ka arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë ndalur si të dyshuar. Reshat Murseli, njoftoi se në rrugën Gjilan-Ferizaj në fshatin Bibaj, gjatë kontrollit të një depoje, janë hasur disa dyer dhe gjatë kontrollit të njërës prej tyre brendësia e saj ka rezultuar të jetë e mbushur me sasi të narkotikëve.

“Gjatë kontrollit të depos në fshatin Bibaj në rrugën Ferizaj -Gjilan, janë hasur disa dyer dhe gjatë kontrollimit kanë hasur disa dyer që në brendi të tyre është hasur marihanë. Janë konfiskuar 40 dyer dhe pas analizave forenzike ka rezultuar se në të gjitha është gjetur substancë narkotike. Secila derë ka pasur 3.4 kg për copë të sasisë narkotike”, ka thënë Murseli.

Policia ka njoftuar se operacioni policor i filluar me datë 11.09.2017 është vazhduar edhe me datë 12.09.2017, ku është arritur të arrestohen pesë persona të dyshuar:

F.A. viti i lindjes 1984, mashkull, shtetas i Kosovës,

V.Z. viti i lindjes 1980, mashkull, shtetas i Kosovës,

A.A. viti i lindjes 1972, mashkull, shtetas i Kosovës,

B.H. viti i lindjes 1983, mashkull, shtetas i Kosovës dhe

N.B. viti i lindjes 1974, mashkull, shtetas i Kosovës.

Prokurori i Shtetit për dy të dyshuarit e parë (F.A dhe V.Z) ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Po ashtu, si prova materiale në lokacionin e parë dhe në disa lokacioneve tjera të dyshuara janë gjetur dhe konfiskuar:

Njëqind e tridhjetë e pesë kilogram (135 kg) substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, së bashku me 40 dyer të dhomave,

Një AK/47 me dy karikatorë,

Gjashtë telefona mobil, dëshmi tjera dhe

Një veturë.