Sport

Shqetësime mbi vendin e Shaqirit në Bajern

“Pas mundjes brutale nga bashkëlojtarët e tij të ardhshëm, shtrohet pyetja: Mos bajernasit janë megjithatë një kategori më lartë për xhuxhin magjik?” Humbja e thellë e Fc Baselit nga Fc Bayerni ka kthyer vëmendjen e opinionit të futbollit zviceran nga fati i Xherdan Shaqirit, yllit të Zvicrës, që së shpejti do të kalojë në radhët […]

“Pas mundjes brutale nga bashkëlojtarët e tij të ardhshëm, shtrohet pyetja: Mos bajernasit janë megjithatë një kategori më lartë për xhuxhin magjik?”

Humbja e thellë e Fc Baselit nga Fc Bayerni ka kthyer vëmendjen e opinionit të futbollit zviceran nga fati i Xherdan Shaqirit, yllit të Zvicrës, që së shpejti do të kalojë në radhët e FC Bayernit. “Kur Shaqiri, në minutën e tetëdhjetë lëshon lojën, nga tribunat percillet me duartrokitje. Dhe kjo, përkundër faktit se performanca e Shaqirit nuk kishte arritur të ngrinte në këmbë askënd në stadium.

Spikeri i stadiumit të Bajernit me atë rast i drejtoi atij disa fjalë të ngrohta mirëseardhjeje përmes altoparlantit. Munihu duket se i gëzohet ardhjes së Shaqirit, shkruan blick.ch.

Më tutje ky portal shtron pyetjen që dhemb: “Pas mundjes brutale nga bashkëlojtarët e tij të ardhshëm, shtrohet pyetja: Mos këta bajernasit janë megjithatë një kategori më lartë për xhuxhin magjik? Dhe në përgjithësi, në çfarë pozicioni do të luajë ai në Bajern?”

Pastaj përkujtohet se si lojtarët e mëdhenj Ribery dhe Robben me driblingjet dhe sulmet e tyre e kishin shushatur fare Shaqirin dhe shokët e tij në ndeshjen e të martës. Në këto kushte, ku mund të zë vend Shaqiri? Edhe pozicionet tjera si ato të mbrojtësve anësorë janë të zëna nga lojtarë cilësorë si Philipp Lahm dhe David Alaba, kështu që mbetet e paqartë se ku do të angazhohet Shaqiri me Bajernin.

Shqetësime të ngjashme rreth pozicionit të Shaqirit në Bajern shtron edhe gazeta tjetër zvicerane, 20Minuten. Ajo konstaton se fat për Shaqirin mund të jenë lëndimet e shpeshta të lojtarëve si Roben dhe Ribbery, në vendin e të cilëve mund të luajë ai. Në këtë bazë, mund të mendohet se ai do të mund të luajë, me kohë të ndryshme, në 70 për qind të ndeshjeve të Bajernit. Por, kujton gazeta, edhe në formacionin e tashëm rezervë të Bajernit ka mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund të jenë pengesë për planet e Shaqirit

Ndërkaq, vetë yllit shqiptaro-zviceran, i cili nuk është se shkëlqeu në ndeshjen kundër Bajernit, duket se nuk i bëjnë përshtypje të gjitha këto shqetësime të medieve për të. “Se Robben dhe Ribery janë futbollistë të jashtëzakonshëm, është gjë që dihet. Unë gëzohem shumë që në sezonin e ardhshëm do të kem bashkëlojtarë të tillë të mëdhenj”, ka thënë Shaqiri për blick.ch.

Sidoqoftë, vazhdon artikulli, mbrëmja e 13 marsit nuk ka qenë dita e FC Baselit dhe as e Shaqirit. Shaqiri ka dëshmuar tashmë se di që edhe në nivelin më të lartë ndërkombëtar të luajë edhe ndryshe. Këtë e ka treguar në ndeshjet kundër Mançester Unitedit, në ato me kombëtaren zvicerane kundër Anglisë etj. “Ne do të kemi edhe shumë kënaqësi me këtë djalosh” ka thënë i bindur bosi i Bajernit, Karl-Heinz Rummenigge…”