Kultura

Shqiptari nga Amerika, kryedirigjent në Teatrin Nacional të Gjermanisë

Ai thotë se për herë të parë ka pasur rastin të vizitonte atdheun e tij, Shqipërinë, në vitin 2014. "Dhe, atje e kam ndjerë veten menjëherë si në vendin tim”

“Erste Kapellmeister” i ri, një titull muzikor që mund të përkthehet si drejtor muzikor ose “kryedirigjent” i Teatrit Nacional Gjerman në Weimar është Stefan Lano. Ai është emëruar tash së voni në këtë post dhe ky nuk do të ishte një lajm që patjetër do të zinte vend në një portal në gjuhën shqipe. Por: kujdes! Prapa këtij emri e mbiemri “fshihet” një shqiptar.

I lindur para 65 vitesh më parë në SHBA, Stefani ishte fëmija i një çifti shqiptarësh të ikur atje nga regjimi i Enver Hoxhës, shkruan concerti.de. në artikullin me titullin “Një kosmopolit në Weimar”. E Wimar-i njihet si qyteti i poetit të madh gjerman, Goethe.

Stefani thotë se për herë të parë ka pasur rastin të vizitonte atdheun e tij, Shqipërinë, në vitin 2014, falë ftesës së bërë nga ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Zagreb, transmeton albinfo.ch. “Prindërit e mi nuk e kishin vizituar më kurrë Shqipërinë gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Ndërsa unë e kam ndjerë veten atje menjëherë si në vend timin”, shprehet Lano. Këtë përgjigje e jep pasi është pyetur nga gazetari nëse në pasionin e tij për vepra komplekse muzikore rrah edhe shpirtti i tij ballkanik. Por, sipas tij, zemra e tij rrah “për çdo muzikë”.

Ai, me përvojën e tij të pasur prej dirigjenti konsiderohet të ketë sjellë fat në Teatrin Gjerman, përcjell albinfo.ch. Lano ka qenë asistent i dirigjentit të amdh Loreen Maazel në Orkestrën Simfonike të Pitsburgut, në Gjermani, dirigjent kryesor në orksetrat përkatëse nacionale të Argjentinës e të Uruguait etj. Thjesht, ai është njëri ndër ekspertët më të kërkuar për muzikë bashkëkohore teatrore në botë.