Lajme

Ankohen mërgimtarët: Po na “rruan” qeveria

Albinfo.ch qëndroi te Dheu i Bardhë, kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë. Qindra bashkatdhetarë për çdo ditë aty paguajnë “tagrin” në emër të Kartonit të Gjelbër

Një barakë e vogël e vendosur në hyrje të doganës kosovare, është qoshja me frekuentuar gjatë dy muajve të verës. Ajo është zyra e improvizuar e Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, ku zakonisht presin në rend dhjetëra mërgimtarë për ta paguar “tagrin” gjatë qëndrim tri javësh ose një muaj në vendlindje.

Pagesa për një muaj për një veturë të rëndomtë, është 41 euro, dhe kjo shkon në emër të policës së sigurimit. 

Albinfo.ch qëndroi te Dheu i Bardhë, në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Xhevdet Jashari nga Gjilani me qëndrim në St’Gallen të Zvicrës i kishte bërë 20 orë rrugëtim deri në kufij, ndërsa “shkundi xhepat” derisa pagoi 41 euro policën e sigurimit, para këto që shkojnë në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.

“O burrë, unë e kam sigurimin kasko. Paramendoni në Kosovë nuk njihet ky sigurim”, qeshet ai me ironi, duke ecur me vrap për t’u futur në xhipin “Tuareg”, ku e prisnin bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij.

Gjatë ditëve të vikendit, në pikëkalimin e Dheut të Bardh kalojnë mesatarisht 1000 vetura, shumica janë bashkatdhetarë që vijnë nga Zvicra, Gjermania, Austria… Dhe sipas një përllogaritje të thjeshtë, të hyrave ditore që shkojnë në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, janë mbi 40 mijë euro.

Kjo, natyrisht vlen vetëm për një pikëkalim, ndërsa sipas Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë gjashtë pikëkalime, dy janë në veri, Pika 1 dhe 31 (Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe pikëkalimi në Merdare, Dheu i bardhë, Mutiovodë dhe Muçibabë.

“Po na rruajnë n’thatë”

“S’po di zotni, veç janë ka na rruajnë n’thatë. E kam lexuar në lajme se nga korriku po hiqet policia e sigurimit. Tash kur erdha pagova 69 euro për dy muaj qëndrim në Kosovë. Na shkoj jeta t’u pagu. Njëherë 3 përqindëshin, njëherë Vendlindjen  Thërret, tas Kartonin…”, u shpreh i irrituar një bashkatdhetar i ardhur nga Munihu i Gjermanisë. 

“Ka 30 vjet që jam në perëndim, kurrkund nuk paguhet kësi police t’hamomit” u shpreh ai. “Sadik e kam emrin”, tha ai duke i dhënë me fuqi veturës BMW-së.

Ndryshe, bashkatdhetarët kosovarë po vazhdojnë të paguajnë policat e sigurimit gjatë kthimit në Kosovë. Madje, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, ende nuk ka marrëveshje të konkretizuar me Bashkimin Evropian që Kosova të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër. 

Bisedimet në Bruksel për t’i gjetur modalitetet që i mundësojnë Kosovës qasje në kartonin e Gjelbër, kanë filluar një vit më parë, por sipas zëvendëskryeministres në detyrë, Edita Tahiri, ato nuk janë finalizuar, për faktin se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

“Kusht themelor për qasje në Kartonin e Gjelbër është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Mirëpo ne jemi në negociata të vazhdueshme me Këshillin e Byrove Evropiane që të gjenden modalitetet që edhe Byroja e Sigurimit të Kosovës të përfshihet në Këshillin e Byrove Evropiane”, deklaroi ajo.

Tahiri si kryesuese e negociatave me përfaqësuesit e BE-së, tha për Albinfo.Ch, se është kush i Byrove Evropiane që të rriten kapacitetet profesionale të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, përfshirë këtu edhe një fond të qëndrueshëm, në mënyrë që anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër të jetë më i kollajshëm

Pak gjasa për heqjen e Kartonit të Gjelbër

Në pyetjen se a ka premtime që marrëveshja me Këshillin e Byrove Evropiane të ndodhë brenda këtij viti, Tahiri tha se “asnjëherë nuk kam dhënë data, sepse çështja është shumë komplekse”.

 Me këtë rast ajo demantoi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të cilët kishin premtuar se qasja në Kartonin e Gjelbër do të ndodhë gjatë muajit korrik.

Megjithatë Tahiri tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë me BE-në, deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Ndërsa në pyetjen se si është e mundur që Kosova ta ketë kodin e saj bankat, SWIT dhe IBAN, por jo edhe qasje në Kartonin e Gjelbër, Tahiri tha se këto dy çështje nuk ka lidhshmëri ndërmjet veti. “Secila çështja ka specifikat e veta. Në këtë rast çështja e kartonit është më e komplikuar dhe lidhet me OKB”, deklaroi ajo.

Ndryshe, më 9 dhjetor të viti të kaluar, Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror, e njohur me shkurtesën SWIFT, ka caktuar një kod të veçantë shtetëror për institucioneve financiare të Republikës së Kosovës. Ky kod iu jepet vetëm shteteve anëtare të OKB-së, por në rastin e Kosovës është bërë përjashtim.

Mirëpo analistët në Kosovë, qasjen në Kartonin e Gjelbër e kanë ndërlidhur me çështjen politike. Madje siç thonë ata, janë njerëzit më të fuqishëm të politikës kosovare që po e bllokojnë marrëveshjen për Kartonin e Gjelbër, sepse Byroja Kosovare, brenda një viti vjel disa miliona euro nga taksat e bashkatdhetarëve.

“Kosova është peng i mafisë së kompanive të sigurimeve. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra milionë euro që kompanitë e sigurimeve fitojnë çdo vit nga fakti që Kosova nuk e ka ende Kartonin e Gjelbër. Për këtë arsye asnjëherë nuk ka ardhur kjo çështje në rend të parë të politikës kosovare…”, ka thënë në një kolumne, analisti Adriatik Kelmendi.

Ndryshe, sipas një përllogaritje që ka bërë Banka Qendrore e Kosovës, brenda dy viteve Shoqata e Sigurimeve në Kosovës ka shitur 25 milionë euro polica kufitare. Viktimë e këtyre policave, si zakonisht bien bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje, të cilët për një muaj qëndrimin në Kosovë duhet të paguajnë 41 euro sigurim.

Në Suboticë, pesë orë pritje

Gjatë dy ditëve të vikendit, bashkatdhetarët janë maltretuar si zakonisht gjatë ardhjes në shtëpi. Fluksi i madh i bashkatdhetarëve, por jo vetëm nga Kosova por edhe Maqedonia, e vendet tjera kanë krijuar tollovi gjatë hyrjes në Serbi. Elhami Nuredini tha se ka pritur gati pesë orë në Suboticë.

“Një shok me tha se edhe në hyrjen  Lipovac, në hyrjen nga Kroacia pritjet shkojnë deri në 4 orë. Ndërsa Bajrushi, një shok tjetër me tha se të premten mbrëma ka pritur në Suboticë më shumë se 7 orë”, deklaroi Nuredini, i cili ndjehet tepër i lodhur nga ky rrugëtim.

“Pa ardhur nuk po ban, me ardhë, maltretim. Shtirë edhe për neve”, deklaroi ai, i cili gjithashtu është ndjerë i irrituar edhe me pritjet në kufirin e Kosovës. Te dheu i Bardhë, pritjet gjatë vikendit kanë arritur në 2 orë.