Lajme

Përurohet Konsullata Shqipëri-Kosovë në Milano

Konsullata e re e Milanos do të mundësojë shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës që jetojnë në Itali

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologu i tij kosovar, Enver hoxha e inauguruan të martën në Milano të Italisë, Konsullatën e re të Republikës së Shqipërisë, brenda së cilës do të kryhet gjithashtu dhe përfaqësimi konsullor i Republikës së Kosovës.

Konsullata e re e Milanos do të mundësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në një ambient modern dhe në një kohë më të shkurtër duke rritur cilësinë e ofruar.

“Konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”, tha ministri Bushati, citon BW.

Ky përfaqësim, siç thuhet, bazohet në Marrëveshjen mes dy qeverive për përfaqësimin konsullor të Republikës së Kosovës pranë Konsullatës së Përgjithshme në Milano dhe përfaqësimin konsullor të Republikës së Shqipërisë pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanbera, Australi.

“Fillimi i përfaqësimit konsullor të Kosovës në Milano është një shprehje e qartë e nivelit më të lartë të bashkëpunimit mes dy shteteve tona, besueshmërisë së ndërsjellët dhe paraqet një shembull me domethënie të veçantë të vullnetit për bashkëpunim”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga MOJ e Shqipërisë, cituar ministrin Bushati.

Njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira e të dy vendeve tona me Italinë, mikpritëse e komuniteteve të mëdha të emigranteve nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.

Ky përfaqësim, siç thuhet, përbën një formë moderne të asistencës së ndërsjellët dhe është shprehje e vullnetit për të lehtësuar e përmirësuar shërbimet për qytetarët jashtë vendit.