Gjuha

Nis viti i ri shkollor me më shumë nxënës në shkollat shqipe

Në krahasim me vitin e kaluar, në shumicën e shkollave shqipe në Zvicër ka rritje të numrit të nxënësve që duan të mësojnë gjuhën amtare shqipe

LAPSH-i ditët e fillimit të vitit të ri shkollor të mësimit plotësues të gjuhës shqipe po bën përpjekje për të çuar më tej punën edukative- arsimore të shkollës shqipe, që ajo të jetë në bashkëpunim të ngushtë: mësues – nxënës – prindër. Çfarë nënkupton organizim dhe funksionim më të mirë të shkollës, të planprogramit, pajisjen me tekste shkollore dhe mjete të tjera plotësuese mësimore, etj.

Viti shkollor 2014/2015 në shumë kantone ka filluar më 18 gusht, por në nivel të shtetit zviceran kantonet kanë orare të ndryshme dhe mësimi plotësues filloi varësisht nga kantonet ku ajo funksionon. Në vitin shkollor 2013 /14 mësimin e vijuan 2630 nxënës të moshave 6 -16 vjeç. Në krahasim me vitin e kaluar, në shumicën e shkollave ka rritje të numrit të nxënësve që duan të mësojnë gjuhën amtare shqipe. Pritet që këtë vit rreth tre mijë nxënës të ulën në bankat e shkollës shqipe. Mësimi shqip organizohet në këto kantone: Aargau, Appenzell, Bernë, Basel/Baseland, Cyrih, Freiburg- Byl, Gjenevë, Glarus, Jura, Neuochatel, St.Gallen, Schafhaussen, Solothurn, Schwic, Thurgau Vaud, Valis, Zug. Shkolla shqipe në Cyrih prin me numrin më të madh të nxënësve, me 650. Pastaj St.Galeni, Gjeneva, Baseli, Vaudi, Aarau, etj. Shkolla shqipe që më së shumti ka shënuar rritje të nxënësve të rinj për këtë vit  është ajo në kantonin e Thurgaut, me 135 nxënës të rinj, e gjithsej 178. Ndërsa, në këtë viti shkollor mësimi shqip është rihapur në kantonin e Schwicit, me nismën e  mësueses Ganimete Kafexholli dhe me ndihmën e prindërve, mësimi ka filluar në dy paralele. Ndërsa në kantonin e Bernës ka zvogëlim të numrit të nxënësve në 130. Sipas koordinatorit z. Veton Dizdari, në mungesë të nxënësve mësimi shqip është mbyllur në dy pika shkollore, në Kerzers ( pas 17vjetësh së ekzistuari) si dhe në Aarwangen pas 23 vjetësh.

Koordinimi i shkollave shqipe është në drejtimin e Nexhat Malokut, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri“ në Zvicër. Ai bashkëpunon me Këshillat Kantonale (koordinatorët), i thërret mbledhjet sipas Statutit. Kryetari përfaqëson Shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe pranë institucioneve zvicerane: Komisioni Federal për të Huajt (EKA), Konferenca e Drejtorive Kantonale të Arsimit (EDK) etj. Gjithashtu koordinon bashkëpunimin me institucionet e Kosovës: Ministrinë e Diasporës dhe Ministrinë e Arsimit etj. Më tepër shih http://lapsh.ch/.

Veprimtaria e shkollës së mësimit plotësues varet nga pagesat e prindërve si burim i vetëm financiar (me përjashtim të disa paraleleve në Cyrih që janë të integruara në mësimin zviceran dhe në Gjenevë). Pagesat bëhen në baza vullnetare përmes fletëpagesave, si vijon: familjet që në shkollën shqipe të mësimit plotësues kanë një fëmijë në muaj paguajnë 40 Fr, për dy fëmijë 50 fr, kurse për tre e më tepër fëmijë paguajnë 60 Fr. Me gjithë këtë, pagesat nga ana e prindërve nuk janë të rregullta, por fëmijët nuk ndodh që të largohen nga mësimi për shkak të mospagesës.

Regjistrimi i nxënësve për mësim plotësues bëhet nëpërmes shkollës zvicerane, gjegjësisht shërbimit të arsimtarëve (me përjashtim të kantonit Vaud). Ky regjistrim nuk është krejtësisht gjithëpërfshirës, andaj LAPSH-i edhe më tutje merret me regjistrimin e atyre që mbesin pa u regjistruar nëpërmes shkollës së rregullt.

Mësimi do të zhvillohet me tekste të hartuara dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Koordinatori i LAPSH-it në Argau, Riza Demaj, që një pjesë të lokalit të tij e ka vënë falas në dispozicion të LAPSH-it, ku dhe aktualisht gjenden tekstet shkollore, njofton se ka mjaft tekste për kantonet që kanë mungesë tekstesh.

Rëndësia e mësimit

Numri i shqiptarëve në Zvicër pa dyshim që është i madh, ky numër do të rritet edhe më tepër brenda dhjetë vjetësh, për mes lindjeve dhe martesave të reja që vazhdojnë të vijnë djem dhe vajza prej Kosovës apo prej trojeve të tjera shqiptare.

Shkollat shqipe të hapura për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë do të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën amtare dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare. Fëmijët në këto shkolla do të mësojnë se si shkruhet dhe lexohet gjuha e prindërve të tyre. Veç kësaj, do të mësojnë kulturën, historinë e gjeografinë e atdheut. Sa më mirë të dish gjuhën amtare, aq më mirë e më lehtë do të mësosh një gjuhë tjetër. Ky është rezultati i kërkimeve të shumta në disa disiplina që lidhen me edukimin dhe formimin e njeriut.

Shkenca në bazë të studimeve të bëra sugjeron se nëse përjashtohet gjuha amtare nga mësimi, fëmijëve do t’u mungojë baza që të mësojnë gjuhët e tjera. Konsolidimi i saj krijon një trampolinë drejt gjuhëve të tjera. Të njohësh dhe të përdorësh shumë gjuhë është burim pasurie, kjo e përforcon faktin se bashkëprania e shumë gjuhëve nuk është jashtë natyrës sonë shoqërore. Njohja dhe përdorimi i dy e më shumë gjuhëve jep një hap më përpara, të pasuron, është një e mirë me vlera për një shoqëri të përparuar. Nuk ka më dyshime rreth rëndësisë së mësimit të gjuhës amtare, ngase zotëron dy gjuhë, mësimi plotësues sjell te nxënësi rezultate edhe nga ana konjiktive, e hap mendjen dhe e ambienton fëmijën, apo të riun që në vlerësimin e perspektivave të ndryshme, di t’i çmojë dhe kulturat e tjera.

Një ndihmë po aq e rëndësishme është përfshirja e vetë prindërve në procesin e gjallërimit të kulturës së vet amtare. Nga mbledhja e mbrëmshme në Delemont po shkëpusim disa mendime të prindërve.

Naim Jonuzaj tha para të pranishmëve: Fëmijët e mi i çoj në shkollën shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha e prindërve, e atdheut që nuk duhet harruar, është gjuhë e të parëve tanë, që e ruajtën me shumë sakrifica, duke qenë nën sundime të huaja shekullore ne nuk u asimiluam, sepse ruajtëm gjuhën shqipe. Fëmijët e mi do ta humbasin dashurinë ndaj gjyshes dhe gjyshit sikur të mos dinin të flisnin shqip. Duke ditur fëmijët tanë gjuhën shqipe, kur të rriten, do të dinë një gjuhë më tepër se moshatarët e vet dhe do të jenë krenarë se do të dinë të tregojnë nga kanë ardhur dhe ku jetojnë. Nëpërmjet shkollës fëmijët do të kenë kontakt dhe do të shoqërohen mes vete, edhe ky shoqërim do t’u shërbejë atyre në ardhmen.

Prindërit e kujdesshëm, Agim dhe Lulie Hasanaj, me banim në fshatin Bassecourt, i sjellin 4 fëmijët e tyre me kënaqësi në mësimin e shqipes në Delemont, por edhe me mundime, sepse mbi të gjitha duhet gjetur kohën për shkuarje – ardhje. “Duke mësuar gjuhën shqipe fëmijët e mi, thotë Agimi, do ta pasurojnë më tepër kulturën e tyre amtare dhe më e rëndësishmja, veç përvetësimit të gjuhës letrare shqipe, do të përfitojnë edhe traditat e mira që populli ynë ka trashëguar në shekuj, familjarisht do të mbajmë lidhjet me atdheun. Së bashku me ta lexojmë shqip në portalin albinfo.ch, edhe pse aty nuk gjejmë material për fëmijë”.

Të vetëdijshëm se shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër meriton organizim më të mirë dhe funksionim më të mirë, sepse vetëm shteti di të bëjë shkollë të mirëfilltë, jem në pritje që shkolla e mësimit plotësues në Zvicër të institucionalizohet me të gjithë parametrat shtetërorë.

Përfaqësuesve të Ministrive të Arsimit dhe Shkencës në Tiranë, Prishtinë, Shkup deri më tani u mungoi vullneti praktik dhe politik për ta mbështetur mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Ne mësuesit dhe prindërit u besuam deklaratave të panumërta të Ministrive të Kosovës dhe delegacioneve të tjera të larta shtetërore se mësimi plotësues në diasporë do të institucionalizohet shpejt. Kanë kaluar mbi njëzet vjet dhe mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Zvicër nuk gjen zgjidhje institucionale.

Ende i kemi të freskëta premtimet e dy ministrave, ai i MASHT-it dhe ai i Ministrisë së Diasporës, kur ishin në Zvicër publikisht pohuan se mësimi shqip së shpejti do të arrijë zgjidhje institucionale, dhe ende nuk u arrit asnjë zgjidhje. Pra, nuk kanë munguar premtimet para ekraneve dhe medieve, por ka munguar dëshira dhe baza për zbatimin e fjalëve të premtuara.