Shkurt.ch

ETH i Cyrihut, në vendin e 12-të në botë

Universiteti EPFL i Lozanës është plasuar në vendin e 17-të ndërsa Universiteti i Cyrihut, në atë të 57-të

Universiteti Teknik i Cyrihut ETH është plasuar në vendin e 12-të të një rangliste prestigjioze të universiteteve më të mira në botë. Autore e kësaj rangliste është kompania QS, e cila vlerësimin e universiteteve të botês e bën prej dhjetë vitesh dhe në të gjitha rastet deri tash ETH i Cyrihut është radhitur shumë lartë.

Ndonëse i ka munguar fare pak për të hyrë në “Top 10” të universiteteve të botës, ETH me këtë radhitje është numër një në mesin e universiteteve të Evropës kontinentale (pa Britaninë e Madhe dhe pjesën tjetër të botës). Siç ndodh tradicionalisht në këto toplista, prijnë universitetet amerikane dhe të tjerat në sferën anglosaksone.

Kësaj here ashtu sikurse edhe dy viteve të kaluara, vendin e parë e zë universiteti amerikan Massachusetts Institut of Technology (MIT). Vendin e dytë dhe të tretë në listë e zënë dy universitete britanike (University of Cambridge dhe Imperial College London).

Pozicion shumë të lartë ka fituar edhe EFPL e Lozanës (universiteti politeknik), gjegjësisht vendin e 17-të. Ndërsa Universiteti i Cyrihut është plasuar në vendin e 57.

Me këtë pozicionim të universiteteve zvicerane, rezulton se Zvicra po u bën sfidë me cilësi dhe nivel universiteteve anglosaksone, shkruan nzz.ch
“QS World University Rankings” mbështeten në katër kritere: kërkimet shkencore, mësimdhënia, internacionalizimi dhe aftësia e fituar për punësim.
ETH lëvdatat më të mëdha i ka marrë për numrin madh të docentëve nga bota e jashtme dhe për infrastrukturën cilësore