Zhvillim

Suhareka, vendi i mërgimtarëve

Mërgimtarët suharekas kanë nisur t’i kthejnë sytë kah resurset vendore të turizmit. Është zona malore e Bjeshkës së Bukoshit dhe Dollocit ajo që po i josh mërgimtarët për të investuar në kamp-shtëpiza alpine

Sipas regjistrimit të popullsisë që u mbajt në Kosovë në vitin 2011, Suhareka doli të jetë komuna me numrin më të madh të mërgimtarëve. Nga 89.000 banorё sa ka gjithsej kjo komunë, 28.064 (ose 31.53 për qind) i ka nё mërgim, nё vende tё ndryshme tё Evropës dhe botës.

E njohur dikur për ekonominë e saj të begatë, me fabrikën shumë të suksesshme “Ballkan” dhe me ndërmarrjen bujqësore e vreshtare “Progres”, Suhareka pas luftës doli tërësisht e shkatërruar, ndërkaq ekonomia e saj nuk arriti të rimëkëmbej, përkundrazi, procesi i privatizimit veç sa e thelloi krizën e papunësisë.

Kjo, ndërkaq, sipas ekspertëve, është edhe arsyeja kryesore pse suharekasit ia mësynë rrugëve të kurbetit viteve të pasluftës, dhe atë kryesisht drejt Italisë, Francës dhe Sllovenisë.

Bjeshkët e Bukoshit dhe Delloci, atraksion turistik

Sido që të jetë, mërgimtarët suharekas nuk hoqën dorë nga vendlindja e tyre. Edhe pse pothuaj tërë motet i kalojnë në kurbet, ata kanë ndërtuar shtëpi të reja gjithandej, me shpresën se një ditë do të kthehen në to.

Bekim Zypa që jeton dhe punon prej vitesh në Zvicër, tregoi për albinfo.ch se e ka të ndërtuar një shtëpi të re në fshatin Bukosh dhe për shkaku të saj ai është i detyruar të vijë së paku dy herë në vit. Ai shtoi se pushimet verore i kalon çdo herë në vendlindje, pasi, sipas tij, Suhareka ka resurse natyrore dhe vende të bukura ku mund të bëhen pushimet “dhe madje më mirë se në shumë vende të tjera”.

Jo vetëm Bekimi, por viteve të fundit edhe shumë mërgimtarë të tjerë kanë nisur t’i kthejnë sytë kah resurset vendore të turizmit.

Është zona malore e Bjeshkës së Bukoshit dhe Dollocit ajo që po i josh mërgimtarët për të investuar në kamp-shtëpiza alpine. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në komunën e Suharekës, viteve të fundit ka një trend rritjeje investimi në këtë lloj turizmi, dhe atë kryesisht nga bashkatdhetarët.

Përveç Bjeshkës së Bukoshit dhe të Dollocit, viteve të fundit rajoni i Suharekës është bërë i njohur edhe për pika të tjera turistike e hoteliere, si: pishina “Solid” në Buqallë, restorantet te Pishtat e Biraçës etj.

Po ashtu, edhe asfaltimi i rrugës malore prej Budakovës në Jezerc që kalon përmes bjeshkëve, e ka bërë zonën e Suharekës që kufizohet me atë të Ferizajt, të bëhet një atraksion turistik, sidomos kroi i ftohtë “Gurra e Kadisë” dhe “Livadhet e Papazit” të njohura për boronicat e ëmbla.

Shuhet Drejtoria për Mërgatën

Nisur nga fakti se gati gjysma e popullsisë suharekase jeton në mërgim, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2010 kur në krye të komunës së Suharekës erdhi Blerim Kuqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për herë të parë në Kosovë një kryetar komune u kujtua për bashkatdhetarët dhe nevojat e tyre.

Ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, Blerim Kuçi menjëherë e hapi Drejtorinë Komunale për Mërgatë në kuadër të qeverisë komunale dhe emëroi një drejtor që të merrej ekskluzivisht me çështje të mërgimtarëve.

Kjo Drejtori, ndërkaq, për shumë kënd në Kosovë, më tepër se nevojë, u pa si kuriozitet dhe sensacion politik për efekt elektoral, por megjithatë, për tre vjet ajo e pati buxhetin e saj dhe hartoi e realizoi projekte të shumta.

Por. kjo nuk zgjati më shumë se një mandat qeverisës, deri sa në krye të komunës erdhi Sali Asllanaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), qeveria e të cilit në fillim të vitit 2014 e mbylli Drejtorinë e Mërgatës.

Por, sa efikase kishte qenë Drejtoria Komunale e Mërgatës për tre vjet të qeverisjes në Suharekë?

Ashtu edhe siç kishte raportuar albinfo.ch në vitin 2011, Drejtoria e Mërgatës në Suharekë kishte realizuar disa projekte, kryesisht në sektorin e investimeve, por edhe në fushë të kulturës.

Kjo Drejtori me punën e saj kishte ndërmjetësuar në procesin e regjistrimit të bizneseve nga diaspora; pastaj kishte implementuar një projekt përmes të cilit u ishin ofruar parcela falas bashkatdhetarëve që dëshironin të hapnin biznese brenda zonës industriale në Suharekë, sikurse kishte organizuar takime të rregullta me mërgimtarë në sezonin veror etj.

Shkollë verore për fëmijët e bashkatdhetarëve

Në një prononcim për albinfo, Hajrush Buqaj nga fshati Budakovë, me punë të përkohshme në Gjermani, tha se mërgimtarët suharekas janë të zhgënjyer me qeverinë aktuale të Suharekës, për shkak se ajo, sipas tij, me mbylljen e Drejtorisë së Mërgatës, po i injoron mërgimtarët.

Duke iu përgjigjur pakënaqësive të mërgimtarëve suharekas, zëdhënësi i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj, tha për albinfo.ch se “nuk i di arsyet” pse qeveria aktuale e mbylli këtë Drejtori. Reshitaj që ka qenë në këtë pozitë edhe në kohën e qeverisjes së Blerim Kuqit, tha se kjo drejtori ka pasur një performancë pozitive në hartimin dhe realizimin e shumë projekteve në shërbim të mërgimtarëve.

Duke mos dashur t’ia hedh fajin për këtë qeverisjes aktuale, ai tha se kompetencat e kësaj drejtorie qeveria komunale ia ka kaluar Drejtorisë për Kulturë.

Reshitaj, po ashtu tha se pavarësisht që kjo drejtori nuk funksion, Komuna e Suharekës edhe kësaj here ka organizuar një varg aktivitetesh për bashkatdhetarët, sikurse herëve të tjera. Madje ai tha se kësaj here është menduar të hapet një shkollë verore në Suharekë e cila do të jetë ekskluzivisht për fëmijët e bashkatdhetarëve.

Mbyllja e fabrikave hapi rrugët e kurbetit

E njohur dikur për ekonominë e saj të begatë, me fabrikën shumë të suksesshme “Ballkan” dhe me ndërmarrjen bujqësore e vreshtare “Progres”, Suhareka pas luftës doli tërësisht e shkatërruar, ndërkaq ekonomia e saj nuk arriti të rimëkëmbej, përkundrazi, procesi i privatizimit veç sa e thelloi krizën e papunësisë. Kjo, ndërkaq, sipas ekspertëve, është edhe arsyeja kryesore pse suharekasit ia mësynë rrugëve të kurbetit viteve të pasluftës, dhe atë kryesisht drejt Italisë, Francës dhe Sllovenisë.

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/suhareka-vendi-i-mergimtareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.