Shkurt.ch

Sulmuesi me motosharrë vazhdon të jetë në arrati

Franz Vrousis ka qenë i dënuar dy herë më parë për shkelje të ligjit mbi armëmbajtje. Qytetarë të ndryshëm njoftojnë se bëhet fjalë për një person të mbyllur në vete dhe me sjellje agresive

Më shumë se 24 orë kanë kaluar nga sulmi me motosharrë që ndodhi në qytetin e vjetër të Schaffhausenit dhe ende nuk është kapur personi i dyshuar për kryerjen e këtij sulmi. Policia vazhdon të jetë në ndjekje të 51 vjeçarit Franz Vrousis dhe për këtë ka shpallur tashmë edhe fletarrestin ndërkombëtar, njofton srf.ch. Ajo konsideron se i arratisuri është i armatosur dhe supozohet se ende e ka me vete motosharrën  prandaj këshillon qytetarët për kujdes.

Policia e Schaffhausenit ka bërë të ditur në mëngjesin e sotëm se e ka gjetur në regjionin Weinland automjetin e personit në fjalë.

Vrousis është i njohur si njeri nomad, që nuk është i paraqitur në asnjë komunë, transmeton albinfo.ch. Ai sipas njohurive të policisë, para kryerjes së aktit, qëndronte në pyjet në zonën kufitare në mes të Zvicrës dhe Gjermanisë.

I dyshuari ka qenë i dënuar dy herë më parë për shkelje të ligjit mbi armëmbajtje. Qytetarë nga lokalitete të ndryshme njoftojnë se bëhet fjalë për një person të mbyllur në vete dhe me sjellje agresive. Prej pak vitesh ai pas një aksidenti automobilistik kishte pësuar një traumë dhe jetonte i vetmuar, me pension invaliditeti.