Kultura

Takim me shkrimtarin Arbër Ahmetaj

Duke folur për fatin e shkrimtarit në egzil, Ahmetaj tha se "egzili më i pamëshirshëm, është ai në kohë: të gjithë ne "braktisim" fëmijërinë, rininë, moshën e pjekurisë etj. Lëvizja gjeografike në hapësirë, nga një vend në tjetrin, është gjë e shëndetshme..."

Ditën e shtunë, me gjashtë maj, në Gjenevë, në një sallë komunale u organizua nga UPSh dhe ShKShZ, pasditja letrare me shkrimtarin Arbër Ahmetaj. Takimin e hapi Albana Krasniqi Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës. Ajo u përqëndrua në krijimtarinë e pasur letrare të romancierit shqiptar që jeton në Sion e solli edhe citime nga kritika mbi cilësinë e prozës së tij, që është e botuar tashmë edhe në frëngjisht, rumanisht, hungarisht, anglisht etj.

Pastaj për të pranishmit u transmetua një regjistrim i Radio Tiranës, nga emisioni i “Larg dhe afër” – rubrika e shfletimeve letrare në të cilin Jaho Margjekaj ka lexuar me mjeshtri një cikël poetik lirikash dashurie te autorit Arbër Ahmetaj. Të pranishmit e duartrokitën me ngrohtësi këtë momemt të takimit.

Në bashkëbisedimin  që pasoi me zonjën Krasniqi, autori Arbër Ahmetaj u foli të pranishmëve mbi raportet e tij me lirinë, fëmijërinë, kritikën letrare, panairet e librit, prozën moderne shqipe, letërsinë botërore, miqësinë dhe vlera tjera që ngërthehen në tekstet e tij letrare. Kur po fliste për fëmijërinë, ai solli raportet e tij me dritën dhe hijen, me yjet dhe ujin!

“Elemente të tjerë që kanë ndikuar në farkëtimin e identitetit tim si njeri e shkrimtar kanë qenë liria apo më tepër të them mungesa e saj në kohën e diktaturës,  – vazhdoi autori, – pastaj lëvizjet e pandërprera nga një qytet i atdheut tek një tjetër, një qosh i planetit te tjetri, studimet e komplikuara në fushën e Farmacisë, ndikimi kulturor që vinte nga letërsia moderne që shkruhej në Kosovë, nga përkthimet që u bëheshin autorëve të mëdhenj bashkëkohorë në Prishtinë, nga kontakti intensiv i mëvonshëm me gjuhët e mëdha të planetit dhe kulturave tjera. Studimet dhe puna në diplomaci më kanë ndihmuar për ta kuptuar më mirë botën, për tu përpjekur ta pajtoj atë, kur s’ia kam arritur me profesionin e diplomatit, e kam përshkruar botën ashtu siç është, apo më mirë të them, ashtu siç përthyhet ajo në shpirtin dhe psiqikën time”.

Më vonë, shkrimtari shpjegoi se si panairet e librave, ani pse të konceptuara si shanse për botuesit dhe autorët në vendosjen e urave të komunikimit me lexuesit, në fakt gjithnjë e më tepër po pushtohen nga politikanët (prej botimeve të tyre), nga bodigardët, simpatizantët dhe turmat mediatike që u vijnë pas, duke i shndërruar këto festa letrare, në ngjarje në interes të avancimit të projekteve të tyre politike. Kjo gjë u vlerësua prej tij si një uzurpim i padrejtë, një dhunim i paarsyeshëm.

Në përgjigje të pyetjeve të të pranishmëve, ai foli mbi ndikimin dhe nevojën që ndjen letërsia bashkëkohore t’ju rikthehet e ripërdorë mitet e legjendat. “Lufta që i është bërë dikur këtyre burimeve të paçmueshme për letërsine; mistikes, dokeve dhe legjendave, pat sjellë si pasojë sterilizimin dhe asfiksimin e krijimtarisë artistike”!

Duke folur për fatin e shkrimtarit në egzil, ai tha se “egzili më i pamëshirshëm, është ai në kohë: të gjithë  ne “braktisim” fëmijërinë, rininë, moshën e pjekurisë etj. Lëvizja gjeografike në hapësirë, nga një vend në tjetrin, është gjë e shëndetshme dhe pashmangshmërisht e lidhur jo vetëm me jetën njerëzore, por edhe atë të bimëve, kafshëve dhe insekteve. Shkurtimisht autori foli për projektet e tij të ardhshme letrare.

Shkrimtari shqiptar Petrit Palushi, i ardhur enkas për këtë takim, foli me shumë ngrohtësi për kolegun e tij, duke nënvizuar veçantësinë e theksuar të prozës së Arbër Ahmetajt, “modernitetin e saj të pamohueshëm”, siç tha. Ai solli kujtime nga një bisedë që kishte bërë me shkrimtarin Vath Koreshi, gjate së cilës Koreshi kishte shprehur simpati për romanin “Fletëhyrje për në varr” por edhe keqardhjen për kohën e botimit të tij: (1993). “Është akoma herët për lexuesin tonë të përballet me këtë cilësi e modernitet shkrimi”, citoi Petriti Palushi disa shënime nga kujtimet e tij me Vath Koreshin.

Të ngrohta ishin edhe fjalet e shkrimtarit Bajram Sefaj. Simpatinë e tij për romanet e Arbër Ahmetajt, “I huaji, ai Kosovari”, dhe “Një natë te Luiza”, ai e ka bërë publike në shtypin shqiptar.

E pranishme në takim ishte edhe shkrimtarja Besa Myftiu e cila solli kujtimet e saj nga kontakti i rastësishëm me romanin “Fletëhyrje për në varr”. “Një gazetar zviceran më dërgoi nga fundi i viteve 90 një kopje të romanit në shqip dhe donte  të dinte diçka me tepër për vlerën e romanit si dhe disa informacione shtese për autorin, pasi dëshironte të bënte një portret për Arbrin, në gazetën “Le nouvelliste”. Libri më pëlqeu shumë dhe impresionet e mia ia nisa gazetarit. Që nga ajo kohë -tha Besa Myftiu, -vajza ime Elina dhe unë, kemi miqësi familjare me Arbrin dhe ndjekim me simpati krijimtarinë e tij”.

Ne takim ishte edhe vëllai i autorit, poeti Bislim Ahmetaj. Të pranishëm ishin edhe zotërinjtë Naim Malaj e Sejdi Qerimaj, përkatësisht ish Ambasadori i Kosovës, në Bernë dhe ish Ambasadori i Shqipërisë në Gjenevë.

Shkrimtari Ahmetaj lexoi një fragment nga romani, “I huaji, ai Kosovari” nën tingujt e violinës së artistit shqiptar Edmond Basha. Pasditja u vlerësua nga të pranishmit si një aktivitet i rëndësishëm për komunitetin shqiptar të Gjenevës.