Integrimi

Tearca e Zvicrës feston përvjetorin me miq

Ka qenë mbi të gjitha angazhimi dhe vetë emri i dr. Omer Xhemailit, kardiologut të famshëm shqiptar, ai që ka mbledhur më së shumti mysafirë në këtë mbrëmje

Në Zvicër ka jo pak shoqata të mërgimtarëve që vijnë nga një fshat i vetëm dhe mbajnë emrin e fshatit . Por, ato janë zakonisht të vogla dhe rezultatet e tyre rrjedhimisht, janë modeste.

Ndryshon puna me shoqatën Humanitare “Tearca”.Ajo bashkon mërgimtarët nga fshati Tearcë, që është njëherësh edhe qendër e re komunale në afërsi të Tetovës. Është themeluar në vitin 2001dhe deri më tash ka orgaizuar kryesisht grumbullime ndihmash humanitare për në vendlindje.  

Në mbrëmjen familjare që ajo mbajti më 21 shtator në Fahrweid të Cyrihut kishe përshtypjen se po merrje pjesë në një tubim të një shoqate me shtrirje shumë më të gjerë.

Prania e ambasadorëve shqiptarë që përfaqësojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në Zvicër, pastaj e këngëtarëve të njohur si tenori Kastriot Tusha, këngëtarja Arjeta Zhuta dhe Alim Dauti, dy shoqërive kulturore artistike (“Ladorishta” dhe “Teuta”) i jepte manifestimit një karakter shumë më përfaqësues.

Organizimi i mirë, kultivimi i lidhjeve në mes të bashkëfshatarëve të ndodhur në mërgim por dhe mirëqenia e tyre materiale, kanë të gjitha së bashku pjesën e tyre në suksesin e mbrëmjes. Por ka qenë mbi të gjitha angazhimi vetëmohues dhe vetë emri i Doc. Dr. Omer Xhemailit, kardiologut të famshëm shqiptar, ai që duket se ka mbledhur më së shumti mysafirë në ketë mbrëmje.

Bashkë me dr. Xhemailin, transplantuesin e parë shqiptar të zemrës, që është nga Tearca, ishte edhe Prof. Dr. Michele Genonni, shef i klinikës së zemrës në Triemlispital të Cyrihut. Genonni iu drejtua të pranishmëve me një letër ku bënte apel për integrimin në Zvicër dhe për favoret që i kanë ata që integrohen duke ruajtur vlerat e tyre.

Në emrin e tij dhe të dy ambasadorëve të tjerë, Naim Malajt dhe Ekrem Ebibi, publikut iu drejtua ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi.

Nënkryetari i shoqatës, Nazim Taipi ka leuar një historik të shoqatës ndërsa më tutje dr. Omer Xhemaili paraqiti përmes ekranit rrugëtimin e tij të shkollimit dhe avancimit nga Tearca deri në Cyrih. Ai prezantoi në mënyrë të përmbledhur edhe metodat më të reja të operacioneve në zemër të hapur që bëhen në spitalin ku punon ai në Cyrih. Dr. Xhemaili u tha bashkëfshatarëve të tij dhe mysafirëve të tjerë se klinika e kardiokirugjisë në Triemlspital të Cyrihut i ka dyert e hapura për të gjithë shqiptarët që kanë nevojë për trajtim.

Një veprim mjaft simpatik de i qëlluar i organizatorëve ishte dhurimi i abetareve nga vendlindja për të gjithë fëmijët e pranishëm në sallë. Ata u ngjitën të gjithë në skenë, ku kryetari i shoqatës, Rexhep Laçi  dhe aktivistë tjerë iu ndanë abetaret. Fëmijëve pastaj iu bashkua tenori i shquar shqiptar i ardhur enkas nga Tirana, Kastriot Tusha, i cili bashkë me fëmijët këndoi di këngë.  

Në emër të Shoqatës se Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, publikun e përshëndeti imami Rejhan Neziri, i cili vjen po ashtu nga fshati Tearcë. Ndërsa nga vendlindja kishte ardhur edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tearcës, Muharrem Osmani, i cili i përgëzoi bashkëfshatarët e tij për kontributin që kanë dhënë dhe japin për mirëqenien e fshatit. Vetëm në Zvicër jetojnë më shumë se 150 familje nga Tearca.

Siç na njoftoi dr. Omer Xhemaili, i cili është edhe kryetar i këshillit të shoqatës, këtë tubim e kishte mbështetur financiarisht, krahas një numri firmash private edhe qyteti i Cyrihut. Kjo tregon për një besim të ndërsjellë dhe për një punë të mirë që kryen shoqata në të mirë të integrimit të shqiptarëve në shoqërinë ku jetojnë, shprehet dr. Xhemaili.

Ai thotë po ashtu se edhe fshati dhe komuna e Tearcës janë një shembull për bashkëjetesë në mes të etnive dhe religjioneve. Përveç shqiptarëve që janë shumicë dërmuese atje jetojnë edhe një numër i konsiderueshëm i maqedonasve, turqve, romëve dhe torbeshëve. Edhe në shoqatën e Tearcës në Zvicër ka të përfaqësuar një numër turqish që jetojnë në këtë shtet.  

Mbrëmja ka vazhduar me një program të pasur artistik të përgatitur nga shoqëritë kulturore artistike “Ladorishta” dhe ajo “Teuta” nga Tearca. Këngëtari Kastriot Tusha ka kënduar një sërë këngësh popullore si solist por edhe në duete me këngëtarët struganë Arjeta Zhuta dhe Alim Dauti. Ai e ka ngrohur atmosferën sidomos me këngën arbëreshe “Lule Lule”. Me disa këngë dasmash është paraqitur edhe këngëtari Blerim Gashi.

Ndërsa vargjet e tyre i kanë lexuar dy krijuesit Remzi Murati dhe Musa Osmani.

Mbrëmja familjare që do të mbahet mend gjatë ka vazhduar deri vonë me muzikë dhe me valle, të cilës krahas anëtareve të shoqatave kulturore artistike i është bashkuar edhe publiku.