Bota

Turqia dënon me burgim të përjetshëm gjashtë gazetarë

Një gjykatë turke ka dënuar gjashtë gazetarë me burgim të përjetshëm për akuzat lidhur me organizim të tentimpuçit në korrikun e vitit 2016.

Vendimi erdhi pasi një tjetër gjykatë turke vendosi të lirojë gazetarin gjermano-turk Deniz Yucel, që ishte mbajtur një vit pa akuzë.

Gjashtë gazetarët ishin shpallur fajtorë për lidhjet me Fethullah Gulenin, që po ashtu akuzohet për tentimpuç.

Gjashtë gazetarët janë: Nazli Ilicak, Ahmet Altan, Mehmet Altan, Fevzi Yazici, Yakup Simsek dhe Sukru Tugrul Ozsengul.

Gjykata e Stambollit i shpalli fajtor për “tentimin e shfuqizimit të urdhrit të përshkruar nga Kushtetuta e Turqisë, ose sjelljes së një rregulli të ri”, raportojnë mediat turke, transmeton Albinfo.ch.

Vëllezërit Altan akuzohen se kishin dhënë mesazhe me kode në një bisedë telefonike para tentimit për puç.

Ushtarakët udhëhoqën një tentim puçi ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan që rezultoi me vdekjen e 250 civilëve.

Që nga ajo kohë janë arrestuar më shumë se 50 mijë njerëz dhe janë shkarkuar më shumë se 150 mijë shërbyes civilë.