Kosova

Vdes ish-kryetari i Prishtinës

Ai ka qenë kryetar i komunës së Prishtinës gjatë viteve 1963-1967

Të mërkurën mbrëma ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, politikani, gazetari dhe autori i një libri për Prishtinën, Sherafedin Sylejmani.

Ai ka qenë kryetar i komunës së Prishtinës gjatë viteve 1963-1967 ndërsa më herët ka qenë mësimdhënës në fshatin Krajishtë të Lipjanit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë viteve 50 është emëruar gazetar dhe redaktor i emisioneve në gjuhën turke në Radion e Prishtinës.

Në vitin 2010, Sylejmani botoi librin monografik “Prishtina ime”, në të cilin ka ofruar dëshmi të çmuara mbi zhvillimin dhe rrjedhat e jetës në qytet gjatë kohës sa ishte udhëheqës i tij, por edhe të periudhave paraprake.

I ndërtuar në formën e një monografie, libri e shoqëron zhvillimin e Prishtinës ndër vite me shumë fotografi e ilustrime dhe fakte të bazuara në dokumente dhe dëshmi personale, raporton KTV.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të enjten, në orën 12:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.