Shkurt.ch

Zbulohet dhe dënohet çifti zviceran për martesa fiktive me çiftin kosovar

Përveç që nuk mundën t`ua siguronin kosovarëve qëndrimin në Zvicër, Werner dhe Yolanda A. u dënuan me gjobë

Burrë e grua, pensionistë zviceranë, duke dashur t`ia sigurojnë qëndrimin në Zvicër një çifti të ri kosovar, shkurorëzohen, në mënyrë që të martohen pastaj me kosovarët, rreth 30 vjet më të rinj, shkruan blick.ch dhe transmetojnë media tjera zvicerane. Por, dallimi mes tyre në moshë shumë i madh së bashku me rrethanat në të cilat bëhej e gjithë kjo, u ka rënë në sy autoriteteve kështu që ato kanë reaguar duke penguar këtë makinacion, përcjell albinfo.ch. Tepër naive kanë qenë veprimet e çiftit zviceran për të fituar besimin e shtetit.

Kështu, përveç që nuk mundën t`ua siguronin kosovarëve qëndrimin në Zvicër, ata edhe morën dënimin me gjobë.

Yolanda A. 62 vjeçe dhe Werner A. 66 vjeç jetojnë në Neckertal (SG) të martuar prej rreth 30 vitesh. Ata ka një kohë të gjatë që angazhohen për të ndihmuar në Kosovë. Dhe gjatë këtyre aktiviteteve janë njohur edhe me çiftin Zenun G. (35 vjeç) dhe Bukurije G. (34 vjeçe), prindër të dy fëmijëve.

Shkurorëzimi i çifteve respektive, në Zvicër dhe në Kosovë dhe pastaj kurorëzimi vetëm në Kosovë tashmë ishte bërë: Yolanda “u martua” me Zenunin dhe Werner me Bukurijen. Por, problemet fillojnë kur çifti zviceran kërkon në Ambasadën e Zvicrës bashkimin familjar. Ambasada refuzon. Çifti kosovar nuk ka të drejtë të vijë në Zvicër. Me këtë, zbulohet edhe qëllimi i dy çifteve për martesa fiktive, përcjell albinfo.ch. Kështu Yolanda dhe Werner dënohen me gjobë dhe dënimi tashmë është i plotfuqishëm.

Ata në bisedë me gazetarin thonë se nuk njanë penduar fare dhe se qëndrojnë mbrapa këtij veprimi. Sipas tyre, përmes shkurorëzimeve dhe kurorëzimeve të bëra, kanë dashur të shpëtojnë çiftin kosovar nga mjerimi, duke i sjellë në Zvicër.