Shkurt.ch

Zviceranët hanë mesatarisht nga 10.5 kilogramë çokollatë në vit

Ndërkohë që eksporti është rritur, shitja brenda Zvicrës ka shënuar një rënie prej 1.3 për qind. Zvicerani mesatar gjatë vitit 2017 ka konsumuar 10.5 kilogramë çokollatë, që është 500 gramë më pak se në vitin paraprak

Prodhuesit zviceranë të çokollatës, gjatë vitit 2017 kanë shitur gjithsej 190.731 tonelata të prodhimit të tyre. Dy të tretat e kësaj sasie janë eksportuar, gjegjësisht shitur jashtë vendit, shkruan srf.ch duke iu referuar shifrave të organizatës zvicerane të prodhuesve të çokollatës “Chocosuisse”.

Kështu, eksportet e këtij produkti për të cilin Zvicra gëzon reputacion të madh në botë, kanë shënuar një rritje prej 4.8 për qind.

Në veçanti janë gjermanët ata që janë dalluar në blerjen e çokollatës zvicerane, duke shtuar sasinë e importit të saj në vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch. Kështu, në Gjermani, që është dhe tregu më i madh i industrisë zvicerane të çokollatës, eksporti zviceran është rritur madje për 16 për qind”, shkruan Chocosuisse”.

Në anën tjetër, shitja brenda Zvicrës ka shënuar një rënie prej 1.3 për qind. Këtë e tregon edhe fakti se cdo zviceran gjatë vitit 2017 ka konsumuar mesatarisht nga 10.5 kilogramë çokollatë, që është 500 gramë më pak se në vitin paraprak.