Shkurt.ch

Zvicerania e konvertuar, arrestohet pasi provokon kundër ndalimit të burkas

"Unë mjerisht nuk mund ta zhvesh këtë, sepse kjo do të ishte sikur të rrija këtu pa të brendshme”, e ka arsyetuar Nora Illi kundërshtimin e saj për ta hequr mbulesën

Nora Illi, një zvicerane e konvertuar në islam, është aktiviste e njohur e IZSR (Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës) organizatë kjo që identifikohet për si propaganduese e islamit radikal. Ajo, së bashku me tri shoqëruese të saj ka shëtitur sot në qytetin e vjetër të Vjenës duke pasur të veshur mbulesën e plotë myslimane (burka), shkruan heute.at.  Këtë veprim e ka bërë qëllimisht, në formë aksioni kundër ndalimit të kësaj veshjeje në Austri, transmeton albinfo.ch. Ndalimi në fjalë ka hyrë në fuqi nga 1 tetori i këtij viti.

Siç tregon një transmetim i drejtpërdrejtë (Live-Stream) në facebook, shëtitja e tyre ka shkuar pa probleme rreth 20 minuta. Pas kësaj, policia i ka ndaluar ato në sheshin e njohur të Vjenës, Stephanplatz. “Unë mjerisht nuk mund ta zhvesh këtë, sepse kjo do të ishte sikur të rrija këtu pa të brendshme”, e ka arsyetuar Nora Illi kundërshtimin e saj për ta hequr mbulesën, përcjell albinfo.ch. Policët pastaj i kanë marrë katër gratë e mbulluara dhe i kanë dërguar në zyrën policore për të bërë identifikimin e tyre.

Se çfarë pasojash do të ketë Illi nga ky aksion është ende e paqartë. Ajo kishte püaralajmëruar një Live-stream tjetër për pasditen e vonë.

Aksioni është mbështetur nga IZSR. Përgjegjësi për kulturë i kësaj organizate, vetëm pak ditë më parë është arrestuar në Greqi në afërsi të kufirit me Turqinë, i dyshuar për lidhje me ISIS-in.