Kosova

12 vjet shtet: Rruga deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës

Këtë vit Kosova feston 12-vjetorin e Pavarësisë, që ishte një proces i vështirë, por shumë i rëndësishëm

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në këtë mbledhje morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, ku Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Rruga deri më 17 shkurt

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezoluten 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për Pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Njohjet nga vendet e BE-së

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE-së njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vahzdojnë të mos e njohin. Disa personalitete spanjolle e kundërshtuan mënyrën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni jo-ushtarak 2,000-anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia ka pohuar se kjo është një okupim dhe se masat e BE-së janë të paligjshme.

Hezitimi nga OKB

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”. Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme … përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”.

Afganistani, shteti i parë që njohu Pavarësinë e Kosovës

Kosova deklaroi pavarësinë më 17 shkurt 2008. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 18 shkurt 2008, Afganistani ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur. Më 8 mars 2008, ministri i parë i jashtëm që e vizitoi Kosovën ishte Carl Bildt, Ministër i Jashtëm i Suedisë. Deri tani 115 entitete sovrane, nga të cilët 112 nga 193 shtete anëtare të OKB kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB . Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithashtu e kanë njohur Kosovën (23 nga 28); Anëtarët e BE-së vendosin individualisht se a do ta njohin Kosovën, ndërsa BE-ja ka dërguar misionin EULEX për të siguruar paqe, mbikëqyrje të jashtme. Njëzetekatër (24) anëtarë të NATOs nga njëzetetetë (28) gjithsej e kanë njohur Kosovën. Shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, janë të ndara sa i përket pavarësisë së Kosovës. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, njohën pavarësinë e Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar dhe konsideruar ilegal aktin e pavarësisë, ndërsa Republika Popullore e Kinës ka shprehur brengosjen e saj me këtë akt. Më 15 maj 2008, Rusia, Kina dhe India, lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën ftojnë për negociata të reja në mes të autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës.

Nga fqinjët e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe Mali i Zi e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Fakte

Është njohur nga 111 nga gjithsej 193 shtete anëtare të OKB-së, apo nga 55.95% e tyre.

Është njohur nga 3 (nga gjithsej 5) shtete anëtare të përhershme të KS të OKB-së, apo nga 60% e tyre.

Është njohur nga 5 (nga gjithsej 10) shtete anëtare të përkohshme të KS të OKB-së, apo nga 50% e tyre. Vlen për kohën kur është shpallur pavarsia.

Është njohur nga 23 (nga gjithsej 28) shtete të Bashkimit Evropian, apo nga 82.14% e tyre.

Është njohur nga 24 (nga gjithsej 28) shtete të NATO-s, apo nga 85.71% e tyre.

Është njohur nga 36 (nga gjithsej 56) shtete të OSBE-s, apo nga 64.29% e tyre.

Është njohur nga 34 (nga gjithsej 47) shtete të Këshillit të Evropës, apo nga 72.34% e tyre.

Është njohur nga 36 (nga gjithsej 57) shtete të Kooperimit Islamike, apo nga 63.16% e tyre.

Është njohur nga 11 (nga gjithsej 22) shtete të Ligës Arabe, apo nga 50% e tyre.

Është njohur nga të gjitha vendet e G7.

Shtetet që e kanë njohur deri më tani Kosovën përbëjnë 72.53% të PBB-së botërore.