Lajme

Shënohen rastet e para të shërimit nga koronavirusi

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shtimi i konsiderueshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kinë ka të bëjë kryesisht me ndryshimin e mënyrës se si ato diagnostikohen dhe njoftohen në vend. Kina njoftoi për 1,800 raste të reja laboratorike të konfirmuara dhe për herë të parë 13,332 raste shtesë klinike të konfirmuara në provincën Hubei, ndërsa Japonia njoftoi për viktimën e saj të parë. Dhe, zyrtarët amerikanë konfirmuan një rast të 15-të koronavirusi në Shtetet e Bashkuara.

OBSH-ja thotë se shumica e rasteve përgjegjëse për rritjen e numrit në të rasteve në provincën Hubei janë njoftuar më pas dhe nuk janë infeksione të reja.

“Pra kjo rritje që shikoni në 24 orët e fundit i detyrohet kryesisht ndryshimit në mënyrën se si diagnostikohen dhe njoftohen rastet”, thotë Michael Ryan i OBSH-së.

Ai thotë gjithashtu se ndryshimet gjithashtu u japin mundësi mjekëve që të njoftojnë dhe trajtojnë rastet më me shpejtësi.

Spitali Huoshenshan, i ndërtuar posaçërisht në Wuhan për koronavirusin, thotë se të enjten pati shtatë pacientët e parë të shëruar. Më e moshuara mes tyre ishte 66 vjeçe.

“Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Infermieret më thërrasin ‘teta’. U kujdesën për mua fizikisht dhe mendërisht, prandaj u shërova shumë shpejt. Dua t’u them njerëzve në gjithë vendin: mos kini frikë, ne jemi shëruar dhe të gjithë duhet të keni besim se do ta fitoni luftën ndaj virusit”, thotë Lu, pacientja e shëruar.

Ndërkohë Japonia njoftoi për viktimën e parë nga virusi, disa orë pasi konfirmoi raste të tjera në anijen turistike “Diamond Princess”, në karantinë pranë Tokios, ndërsa frika e përhapjes së sëmundjes rritet në vend.

“Nuk kemi ende informacion të mjaftueshëm epidemiologjik për përhapjen e virusit në Japoni. Në ditën në vazhdim do të mbledhim informacion, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të konsiderojmë masat e nevojshme”, tha ministri i Shëndetësisë, Katsunobu Kato.

Në Shtetet e Bashkuara, një pacient që ishte në karantinë në një bazë të Forcës Ajrore në Teksas, u diagnostikua zyrtarisht me sëmundjen. Ai ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara me një avion të prenotuar nga Departamenti i Shtetit, javën e kaluar.

“Individi është vendosur në karantinë që kur arriti në bazën ajrore Lackland nga Wuhan i Kinës dhe individi mbetet në izolim në një spital lokal”, tha Ron Niremberg, Kryebashkiak i San Antonios në Teksas.

Kjo e sjell numrin e rasteve në 15 në Shtetet e Bashkuara, ku zyrtarët këmbëngulin se rreziku ndaj publikut mbetet i ulët, përcjell albinfo.ch.