Lajme

19-vjeçari vritet me thikë në Itali, arrestohen tre të dyshuar, mes tyre edhe një shqiptar

I riu humbi jetën pas një përleshjeje mes dy grupeve në Cremas, ndërsa policia identifikoi autorët e dyshuar përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmive të një dëshmitari.

Një 19-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit disa herë me thikë gjatë një përleshjeje mes dy grupeve të rinjsh në qytetin Cremas të Italisë.

Viktima, Youssef Rama Abdelaziz, u sulmua gjatë natës mes 11 dhe 12 korrikut në parkingun e një supermarketi në Viale Repubblica. Sipas mediave italiane, i riu arriti të largohej disa metra nga vendi i ngjarjes, por u rrëzua në asfalt për shkak të plagëve të marra dhe ndërroi jetë më vonë në spital.

Pas hetimeve intensive, karabinierët arrestuan tre persona të moshës 23 deri në 25 vjeç, të dyshuar për përfshirje në vrasje. Mes tyre ndodhet edhe një shtetas me origjinë shqiptare.

Sipas autoriteteve italiane, identifikimi i të dyshuarve u bë falë dëshmisë së një dëshmitari okular, si dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi.

Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me një konflikt mes grupeve rivale, ndërsa po vazhdojnë punën për të zbardhur motivin dhe të gjitha rrethanat që çuan në vrasjen e 19-vjeçarit.

Tre të arrestuarit pritet të dalin para gjyqtarit hetues gjatë ditës së sotme.