Lajme

Carl Bildt dënon deklaratën e ministres serbe: Nuk i shërben aspak rrugës evropiane të Serbisë

Ish-kryeministri suedez e cilësoi skandaloze deklaratën e Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës dhe tha se ajo dëmton perspektivën evropiane të Serbisë.

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, përcjell albinfo.ch.

Përmes një reagimi publik, Bildt e cilësoi deklaratën si skandaloze, duke theksuar se ajo dëmton seriozisht perspektivën evropiane të Serbisë.

“Kjo është skandaloze për një anëtare të Qeverisë së Serbisë. Sigurisht që nuk i ndihmon perspektivës evropiane të vendit – përkundrazi. Nuk besoj se presidenti Vuçiq mund të mbetet pasiv përballë kësaj”, shkroi Bildt.

Deklarata e ministres serbe ka nxitur reagime të shumta, pasi i referohet luftës në Kosovë dhe përmend spastrimin etnik, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit./Albinfo.ch