Kosova

21-vjeçari ndalohet në Aeroportin e Prishtinës, dërgohet direkt në burg për të vuajtur dënimin

Ndaj të riut ishte në fuqi një urdhëresë e Gjykatës për ekzekutimin e një dënimi prej 40 ditësh burgim

Një 21-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës menjëherë pas paraqitjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi ndaj tij ishte në fuqi një urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e një dënimi me burg, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Arbër Ukën, 21 vjeç, nga fshati Çikatovë e Re në Drenas, i cili u ndal mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 23:50, gjatë procedurave të kontrollit në aeroport.

Gjatë verifikimit të të dhënave, zyrtarët policorë konstatuan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, për ekzekutimin e një dënimi me burg.

Pas përfundimit të procedurave policore, 21-vjeçari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku do të vuajë dënimin prej 40 ditësh burgim, në përputhje me vendimin e gjykatës.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është realizuar në kuadër të zbatimit të urdhëresave aktive të gjykatave, me qëllim ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë./Albinfo.ch