Lajme

235.000 euro për prindërit kosovarë që humbën dy fëmijët në aksident

Kryefamiljari ishte përpjekur të parandalonte përplasjen por më kot. Dy fëmijët e tij vdiqën menjëherë, ndërsa ai dhe gruaja e tij kaluan me lëndime të lehta

Fatkeqësia e rëndë pati ndodhur në vitin 2014, gjatë rrugës për në Kosovë, natën në autostradën perëndimore: Makina e një familjeje ishte goditur nga një shofer i dehur që po ngiste në drejtimin e gabuar të rrugës, shkruan krone.at. Prindërit kishin mbijetuar ndërsa dy fëmijët e tyre, humbën jetën, transmeton albinfo.ch. Tani gjykata më e lartë e Austrisë ka dhënë 235,000 euro në emër të kompensimit. Dhe bëri një deklaratë themelore në temën e kompensimit për të mbijetuarit.

Familja ishte nisur më 29 korrik 2014 nga landi gjerman, Baden-Württemberg ndërsa destinacioni i tyre ishte Kosova. Pas një udhëtimi prej shtatë orësh, kishin arritur në Wels (Austria e Epërme), përcjell albinfo.ch. Pastaj përpara u doli shoferi i dehur dhe ndodhi më e keqja…

Kryefamiljari ishte përpjekur të parandalonte përplasjen por më kot. Dy fëmijët e tij vdiqën menjëherë, ndërsa ai dhe gruaja e tij kaluan me lëndime të lehta. Ashtu si edhe shoferi shkaktar i aksidentit, i cili u dënua me dy vjet burg efektiv, për sjelljen e tij veçanërisht të pavëmendshme.

Padi për shkak të “gjendjes së shkatërruar emocionale”

Prindërit pastaj kanë iniciuar procesin gjyqësor, duke u ankuar për veten dhe për fëmijën e tyre tjetër, që nuk ishte në makinën e aksidentit, transmeton albinfo.ch. Ankesa kishte të bënte kryesisht me gjendjen e tyre të shkatërruar mendore, e cila nuk ishte përmirësuar as disa vite pas tragjedisë.

Në fund, sigurimi i automjeteve u desh të paguante 235,000 euro kompensim, përfshirë këtu edhe shumën që ishte transferuar para gjykimit, përcjell albinfo.ch. Kompensimi për dhimbjen dhe vuajtjen përshkruhet në gjykim si vijon: “është një satisfaksion për të gjitha vështirësitë që personi i dëmtuar duhet të durojë si rezultat i dëmtimit”.

Refuzohet kërkesa për kompensim më të lartë

Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për kompensim më të lartë. Përcaktuese  për shumën është “pamja e përgjithshme e dëmtimit fizik dhe mendor”, përcjell albinfo.ch. Fakti që kanë humbur jetën dy fëmijë nuk mund të çonte në një “shumëzim aritmetik” të dëmshpërblimit për dhimbjen dhe vuajtjen.