Maqedonia

3 milionë euro harxhime në rastin e Kumanovës

Për një seancë gjyqësore vetëm Ministria e Punëve të Brendshme ka harxhuar 50 mijë euro, ndërsa për 60 seancat e zhvilluara janë harxhuar rreth 3 milionë euro

Nëse 37 të akuzuarit e Kumanovës shpallen fajtorë për veprën për të cilën akuzohen dhe nëse gjykata vendos që harxhimet gjyqësore t’i paguajnë të kryerësit e veprës, atëherë të akuzuarit do të duhet që të paguajnë mbi 3 milionë euro.

Në shumicën e rasteve të akuzuarit paguajnë shuma simbolike në rast se konstatohet se nuk e kanë gjendjen mirë financiare. Pas përfundimit të gjithë procedurës gjyqësore dhe pas sjelljes së vendimit nga ana e gjykatës, patjetër që do t’i obligojë të dënuarit që të paguajnë harxhimet e gjykatës, raporton “Alsat i Maqedonisë”.

Por kjo nuk është e thënë se të njëjtët, nëse sjellin dëshmi se kanë probleme financiare, atëherë mund të paguajnë vetëm në formë simbolike, deklaroi Asmir Alispahiq, avokat në rastin e Kumanovës, përcjell albinfo.ch.

Për një seancë gjyqësore vetëm Ministria e Punëve të Brendshme ka harxhuar 50 mijë euro, ndërsa për 60 seancat e zhvilluara janë harxhuar rreth 3 milionë euro.

Në luftimet në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 jetën e humbën 8 prestarë të policisë, ndërsa mbi 40 të tjetër morën lëndime trupore. Shumica prej tyre kanë paralajmëruar se do të kërkojnë edhe dëmshpërblime.