Kosova

3 të vdekur dhe 4 të lënduar në aksidentin e magjistrales Prishtinë-Gjilan

Gjendja e ambasadores turke, Kivilcim Kiliç, është stabile pas aksidentit ku u përfshi eskorta e saj në fshatin Slivovë të Gjilanit

Tre persona kanë ndërruar jetë dhe katër persona janë lënduar në aksidentin ku është përfshirë edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Florije Ahmeti.

“Rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht me fshatin Mramor, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, dy prej të cilëve në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, përcjell albinfo.ch.

Raportohet se në QKUK ka ndërruar jetë edhe personi i tretë, por rasti akoma nuk është konfirmuar nga autoritetet.

“Nuk kemi informata nëse ambasadorja gjendet në QKUK, por jozyrtarisht kemi mësuar se edhe ajo ka marrë trajtim mjekësor”, raporton “Klan Kosova”.

Gjendja e ambasadores turke, Kivilcim Kiliç, është stabile pas aksidentit ku u përfshi eskorta e saj në fshatin Slivovë të Gjilanit.

Ajo tashmë ka marrë trajtimin e duhur mjekësor. Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën, Ambasada e Turqisë në Kosovë.