Integrimi

Kosovarja akuzohet për martesë fiktive, por fiton para gjyqit

Zyra e Migracionit do të ketë bërë "hesapet" pa kosovaren "luftarake" dhe Gjykatën Administrative, ku gruaja kishte bërë ankesën dhe pastaj kishte fituar të drejtën...

Zyra e Migracionit i ka revokuar lejen e qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Vizën C) një gruaje kosovare me dyshimin për martesë fiktive. Por, ajo i ka rezistuar me sukses vendimit para Gjykatës Administrative, shkruan “Solothurner Zeitung”.

Shtetasit e huaj që kryjnë një martesë fiktive për të fituar të drejtën e qëndrimit, mund të dëbohen nga Zvicra, transmeton albinfo.ch. Por, edhe leja e përhershme e qëndrimi mund t`i revokohet atij ose asaj që ka jetuar në Zvicër për më pak se 15 vjet dhe ka dhënë informacione të rreme në procesin e marrjes së lejes. Njësoj ndodh nëse personi ka heshtur informacionet sqaruese për rrethanat e jetës.

Megjithatë, ndonjëherë është e vështirë të provohet për dikë nëse ka ose nuk ka martesë fiktive. Gjykata administrative e Kantonit të Lucernit tani ka ngritur lart “pragun” për këtë çështje dhe e ka rrëzuar qëndrimin e zyrës kantonale të migracionit, e cila donte ta dëbonte kosovaren 27-vjeçare.

Gruaja e re kishte migruar në Zvicër në vitin 2011 si pjesë e bashkimit familjar pasi qe martuar me një bashkatdhetar, i cili kishte të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Vizën C), transmeton albinfo.ch. Por, në mars të vitit 2012, bashkëshortët e rinj ishin ndarë.

Megjithatë, në shtator të vitit 2012, gruaja kishte informuar autoritetin e migracionit se ajo dhe burri i saj ishin pajtuar dhe do të jetonin përsëri së bashku. Policia Kantonale, nga ana e saj kishte njoftuar Zyrën e Migracionit se këtu mund të bëhej fjalë për një martesë fiktive. Më në fund, në pranverën e vitit 2014, Zyra e Migracionit u kishte ofruar bashkëshortëve një intervistë personale.

Rezultati: Vërtet që kishte prova se bëhej fjalë për një martesë fiktive ose martesë që ishte lidhur ekskluzivisht për të marrë lejen e qëndrimit, përcjell albinfo.ch. Por, në atë kohë, vetë Zyra e Migracionit kishte vendosur se këto indikacione nuk ishin të mjaftueshme dhe kështu, ia kishte zgjatur gruas lejen e qëndrimit.

Në vitin 2016, kosovarja më në fund mori një leje të përhershme qëndrimi (Vizë C), por me një periudhë kontrolli deri më 30 shtator të vitit 2020. Më pak se një vit më vonë, Zyra e Migracionit kishte marrë sërish një njoftim se martesa midis kosovares dhe burrit të saj, i cili kishte qenë banor në Zvicër për një kohë të gjatë, ishte divorcuar. Dhe për më tepër, me sa dukej, gruaja nuk kishte jetuar me të që nga viti 2013. Ndërkohë, ai kishte lindur fëmijë me një grua tjetër, transmeton albinfo.ch. Kjo gjendje tashmë dukej si provë e mjaftueshme për autoritetet, për të dëshmuar se ata ishin të mashtruar gjatë gjithë kohës.

Në dhjetor të vitit 2019, Zyra e Migracionit revokoi lejen e qëndrimit për gruan dhe i caktoi asaj një afat deri në fund të shkurtit të vitit 2020 për të dalë nga Zvicra.

Por Zyra e Migracionit do të ketë bërë “hesapet” pa kosovaren “luftarake” dhe Gjykatën Administrative. Në atë gjykatë, gruaja kishte paraqitur një ankesë dhe pas kësaj kishte fituar të drejtën, përcjell albinfo.ch. Mbetet për t’u parë nëse ankuesja dhe ish-burri i saj kishin pasur martesë fiktive ose jo.

Sigurisht, dyshimet e Zyrës së imigracionit nuk ishin për t`u nënçmuar por provat që ofronte ajo nuk ishin të mjaftueshme për të dëshmuar  abuzimin me një martesë që është vetëm (ende) formale.

Të paktën burri qe kthyer te gruaja e tij pas ndarjes së parë, në vitin 2012. Dhe: Fakti që ai ka vazhduar të jetojë një jetë të dyfishtë më pas si dhe ka lindur një fëmijë tjetër me një partnere tjetër, e bën “të vështirë” fajësimin e gruas së tradhtuar, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, jeta e mëtejme e përbashkët pas tre vjetësh martese (dhe kjo supozohet të ketë ndodhur në rastin konkret) nuk është absolutisht e nevojshme për lëshimin e lejes së qëndrimit.