Kosova

20 filmat që sollën Kosovën në qendër të festivalit zviceran të filmit

Festivali i Winterthurit këtë vit ka vënë në fokus të tij Kosovën, gjegjësisht filmin e shkurtër të prodhuar në Kosovë. Janë plot 20 filma nga Kosova që do të shfaqen gjatë 6 ditëve të festivalit

Mbrëmë, më 9 nëntor ka hapur siparin Festivali i Filmit të Shkurtër në Winterthur. Bëhet fjalë për festivalin më të rëndësishëm të filmit të shkurtër në Zvicër dhe një eveniment me rëndësi mbi-regjionale. Në këtë kuptim, hapja e festivalit, i cili këtë vit ka një jubile – zhvillon edicionin e tij të 25-të – u shoqërua me solemnitetin që i takon, me praninë e prominencës së qytetit e më gjerë. albinfo.ch ka qenë aty dhe përcjell për lexuesit e vet emocionet e kësaj mbrëmjeje.

Për ne, shqiptarët, Festivali i Winterthurit këtë vit ka edhe një vlerë të shtuar: ai ka vënë në fokus të tij Kosovën, gjegjësisht filmin e shkurtër të prodhuar në Kosovë. Janë plot 20 filma nga Kosova që do të shfaqen gjatë 6 ditëve të festivalit, të ndarë në 4 programe. Fjala është për programet: “Rebuilding identity”, (Rindërtimi i identitetit) “Colliding Worlds”, (Botët që përplasen) “Thicker than Blood” (Më i trashë se gjaku), “Anestezia”, dhe “New Voices” (Zëra të rinj).

Veton Nurkollari, me stafin e Ambasadës Kosovare në Bernë dhe Konsullatës në Cyrih 

Në solemnitetin e hapjes që u zhvillua në hollin e madh të Teatrit të Winterthurit ishte i ftuar si mysafir special dhe mori pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër shkëlqesia e tij Sami Ukelli i shoqëruar nga Shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati dhe stafi.

Në fjalët përshëndetëse të mbajtura nga kryebashkiaku i Winterthurit, Michael Künzle dhe nga Janos Blum, nëndrejtor i Këshillit të  Bankës Kantonale të Cyrihut (ZKB, që është sponsori kryesor i festivalit) u theksua disa herë rëndësia e përzgjedhjes së Kosovës si “Shteti në Fokus” për këtë vit, i këtij festivali të madh dhe u përshëndet prania e ambasadorit kosovar aty.

Edhe në pjesën pasuese të aktivitetit, në skenën e teatrit të madh, gjatë prezantimit të programit të këtij edicioni të festivalit, para një publiku me numër të madh, Kosova ishte njëra nga shtyllat e mbrëmjes. Aty, veç tjerash, në mesin disa filmave të shkurtër u shfaq edhe filmi kosovar “Gardhi” i Blerta Zeqirajt, i cili u pëlqye shumë nga publiku.

Ndërsa drejtori artistik i festivalit, John Canciani ka shpjeguar në mënyrë mjaft impresive arsyen e përcaktimit të këtij festivali që të përzgjedhë pikërisht Kosovën si “Shteti në fokus” i këtij edicioni të festivalit. “Kosova dhe kosovarët janë prej kohësh pjesë e rëndësishme realitetit zviceran, shpeshherë edhe viktimë e paragjykimeve. Prandaj ne duam ta pasqyrojmë këtë realitet dhe në një mënyrë të nxisim komunitetin kosovar/shqiptar të këtushëm të vijë të shohë filmat nga vendlindja e tyre. Kështu, ne do të jemi të lumtur që të rinjtë e këtij komuniteti të ndihen krenarë me artin e krijuar nga bashkatdhetarët e tyre”, ka thënë veç tjerash Canciani. Ai në të njëjtën kohë ka theksuar se filmi kosovar po përjeton një histori suksesi me një numër të madh filmash që po kthehen me çmime nga shumë festivale botërore. Sipas tij, Kosov, edhe falë zhvillimeve nëpër të cilat ka kaluar, është një minierë temash të forta që shërbejnë për të realizuar filma të sksesshëm.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli

I lutur nga albinfo.ch për një deklarim rreth pranisë së Kosovës në festival, ambasadori kosovar Sami Ukelli ka thënë veç tjerash se është nder e kënaqësi të jesh i pranishëm në një festival si ky, që i ka dhënë një hapësirë kaq të madhe filmave nga vendi ynë. “Janë rreth 20 filma kosovarë që do të shfaqen këtu. Përzgjedhja e Kosovës si “Shtet në fokus” ka qenë në diskutim prej disa vitesh dhe këtë vit është vendosur përfundimisht për këtë. Është kënaqësi që mund t`i prezantojmë sidomos publikut zviceran këta filma që pasqyrojnë realitetin tonë dhe që ti thyejnë paragjykimet që ekzistojnë këtu e njëherësh t`i përafrojmë kulturat e dy vendeve tona. Siç dihet, këto vitet e fundit, Kosova ka arritur suksese të mëdha, duke fituar shpërblime ndërkombëtare për filmat e vet. Besoj që edhe kjo ka bindur palën zvicerane për ta marrë Kosovën në fokus”.

Ukelli ka shtuar në fund se edhe Ministria e jashtme dhe e diasporës ka mbështetur me një shumë modeste pjesëmarrjen e artistëve tanë këtu “në mënyrë që ata të shohin nga afër botën e filmit, të komunikojnë me kolegët e tyre artistë, pjesëmarrësit tjerë në festival etj.”.

Në hapjen e festivalit ishte i pranishëm edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit Dokufest të Prizrenit. Nurkollari, përveç si bashkëkurator i programit kosovar në kuadër të këtij festivali, është edhe anëtar jurie për dy kategori filmash që konkurrojnë për çmime. Albinfo.ch ka realizuar një intervistë me të, e cila do të publikohet nesër.

Ndikimi i diasporës shqiptare në identitetin zviceran

“Kanë kaluar 13 vjet nga shpallja e pavarësisë – republika ende e re po teston identitetet, artistët e saj guxojnë të eksperimentojnë, popullsia po punon në zbatimin e vizioneve të shumëpritura të së ardhmes. Ne duam të kapim këtë frymë optimizmi në të katër programet tona”.

“Zvicra përbën një qendër të madhe dhe të rëndësishme të diasporës kosovare që nga vitet 1990. Kjo diasporë gjithashtu ka pasur një ndikim të madh në identitetin zviceran”, shkruajnë organizatorët e festivalit të Filmit të Shkurtër në Winterthur, i cili ka zgjedhur Kosovën si “Vend në Fokus” të festivalit që ka filluar mbrëmë, për të 25-tën herë me radhë, raporton albinfo.ch.

Këta filma do të shfaqen deri më 14 nëntor në Winterthur

Filmat nga Kosova që shfaqen në këtë edicion janë:  “Stacioni”, “Ajo”, “Kiss me, now” “Lost Exile”, “I kujt është flamuri”, “Nusja jonë”, “I have never been in Airplane”, “Sans le Kosovo”, “She Asked Me Where I Was From”, “Zgjidhe një emër”, “Pa vend”, “Shukria”, “Four Pills at Night”, “Kthimi”, “117” “Kush mytet, kapet për shkume”, “A Month”, “Në mes” dhe “Gardhi”.