Lajme

Krijuesit Shkumbin Gashi dhe Adem Dërmaku, “para gjyqit” të publikut

Ky aktivitet ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe Konsullatës së Kosovës

Të shtunën që shkoi, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është mbajtur një mbrëmje artistike me shkrimtarin Shkumbin Gashi dhe grafistin Adem Dërmaku.

Ky aktivitet ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe Konsullatës së Kosovës.

Konsullja Shukrije Ramadani ka hapur takimin duke përshëndetur dashamirësit e artit në emër të Konsullatës. Ajo me këtë rast është zotuar se lokalet e konsullatës do të jenë në dispozicion të krijuesve dhe artdashësve.

Zonja Ramadani pastaj ka përgëzuar dy artistët e ftuar për sukseset që ata kanë arritur së fundi, edhe përtej mesit të diasporës, ku jetojnë. Të kujtojmë: Shkrimtari i ri Shkumbin Gashi ka marrë çmimin e rëndësishëm letrar “Rexhai Surroi” për romanin e tij “Nënë, më fol për çlirimtarët” ndërsa grafisti Adem Dërmaku ka të hapur ekspozitën personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, në Prishtinë.

Në vazhdim, kryetari i SHKSHZ, Bujar Salihu ka drejtuar një bashkëbisedim me dy artistët, ku pastaj janë inkuadruar edhe të pranishmit tjerë.

Drejtuesi i mbrëmjes ka lexuar vështrimin e krijuesit Bit Gecaj për romanin e Shkumbin Gashit, „Nënë më fol për ëndërrimtarët“.

“Libri `Nënë më fol për ëndërrimtarët` trajton temën e dramës së lashtë njerezore, emigrimit! Ne fokus është historia e katër njerezve nga vende e kultura të ndryshme, në një vend të tretë, të cilët frekuentojnë të njëjtin kurs të gjermanishtes. Ibrahimi, Riva, Kamila dhe Agroni.

Në përgjithësi romani është mjaft dinamik. Kapërcimet nga njëra kulturë tek tjetra, historitë plot dhimbje e plagë të çdo personazhi, ritmi i shpejtë i rrefimit, pasuria stilistike, e bëjnë një librin me vlerë dhe shumë interesant. Shfaqja e dramave në figurat e katër përsonazheve kryesore, na jep një panoramë sa rrënqethëse aq edhe shpresëdhënëse për jetën. Gjithsesi shoqëria njerëzore është si një mozaik plot vlera qe duhet identifikuar”, shkruan veç tjerash Gecaj në vështrimin e tij mbi romanin e përmendur.

Ndërkaq, duke marrë fjalën Shkumbin Gashi, autor i librit, ka theksuar se dhmbja njerëzore është e njëjtë te të gjithë prandaj ajo që i lidh katër rrëfimet e të katër protagonistëve të romanit të tij është pikërisht kjo dhimbje. Prandaj, këtu nuk bëhet dallim nëse protagonisti është shqiptar, hindus, sirian a latinoamerikan: tragjedia i bën ata të njëjtë.

Bëhet fjalë për katër fate njerëzish që i bashkon rastësia në mërgim, ku ata secili në mënyrën e vet kanë një rrëfim të dhimbshëm për të treguar, ka thënë tutje Gashi. Ai ka pranuar se rrëfimet të cilat i lidh një kurs i përbashkët i gjermanishtes, ku takohen protagonistët, rrënjët i kanë pikërisht në një kurs të tillë, të cilin e kishte ndjekur ai, pak pasi kishte ardhur për të jetuar në Zvicër. Por, natyrisht, nuk bëhet fjalë për pasqyrim të plotë të realitetit. Romani është krijim artistik dhe si i tillë, i nënshtrohet laboratorit krijues nga i cili dalin të vërteta universale, artistike në vend të atyre konkrete, triviale. Po kështu, autori në këtë roman ka shkrirë edhe njohjen e psikologjisë, meqë ai është psikolog nga profesioni (duke doktoruar, në Bernë).

Në vazhdim, autorit të ri i janë bërë një sërë pyetjes nga të pranishmit. Veç tjerash ai është pyetur rreth përkthimit eventual të romanit të tij në gjuhën gjermane dhe në gjuhët tjera botërore. Kjo pyetje vinte si shprehje e kërshërisë së të rinjve të rritur në Zvicër, të cilët do ta kishin më të lehtë ta lexonin atë në gjuhën gjermane se sa në origjinal. Gashi ka treguar se janë duke u zhvilluar bisedime rreth përkthimit të librit në gjuhën gjeermane, angeze etj., por derisa të jenë bërë përkthimet mund të shkojë shumë kohë, ka shtuar ai.

Lidhur me grafikat e Adem Dërmakut, të cilat gjatë gjithë kohës projektoheshin në një ekran nüë mur,  përballë publikut, është zhvilluar një debat i veçantë, jo i zakonshëm në aktivitetet tona.

Dërmaku është ndalur në të gjitha punimet e tij të prezantuara (të cilat aktualisht janë të ekspozuara në ekspozitën në Prishtinë) dhe ka kërkuar nga të pranishmit që ta bëjnë interpretimin e tyre të lirë rreth tyre. Të përfshirë në debat, artdashësit janë përpjekur të japin një shpjegim të asaj që shihnin në ekran.

Pas kësaj, vetë artisti, në varësi të interpretimeve të ardhura nga publiku, ka bërë edhe “sqarimin” e mesazheve që ka dashur të japë me veprat konkrete.

Në debat me grafistin dhe shkrimtarin po ashtu janë prekur edhe temat e mundësive dhe barrierave që u qëndrojnë në rrugë krijuesve të dy arteve për të “shpërthyer” në botë:  letërsisë dhe arteve pamore. Në këtë pikë, siç është shprehur Dërmaku, artistët pamorë kanë një përparësi: punimet e tyre nuk kanë nevojë të përkthehen sepse ato flasin në një gjuhë universale, qëe njohin të gjithë.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI