E-Diaspora

6 mijë nënshkrime kundër dëbimit të 18-vjeçarit shqiptar

Sipas Shaw, 18-vjeçari sapo ka përfunduar shkëlqyeshëm provimet ne biologji, kimi dhe matematikë

Mijëra britanikë janë ngritur në mbështetje të një nxënësi shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar që rrezikon dëbimin.

Gjashtë mijë nënshkrime ka mbledhur deri tani peticioni i nisur të martën nga mësuesi i djalit.

18-vjeçari Stiven Bregu, u trafikua nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe në vitin 2015, kur ishte fëmijë, ishte vetëm dhe shpresonte që në këtë mënyrë t’i largohej një jetë të dhunshme në shtëpi, transmeton TCH.

Trafikantët e braktisën në “Keynsham” pranë Bristolit. Stiveni, që nuk dinte asnjë fjalë anglisht, u dërgua në një qendër për të mitur, ku dalëngadalë nisi jo vetëm të mësonte gjuhën, por edhe të shfaqej si një nxënës tepër i përkushtuar, përcjell albinfo.ch.

BBC e quan ‘nxënës të jashtëzakonshëm”, dhe duket 18-vjeçari e meriton plotësisht këtë përcaktim. I riu shqiptar ka bërë kërkesë të rregullt për azil, por i është refuzuar. Stiveni ndërkohë e ka lidhur më Anglinë te ardhmen e tij, për të cilën ka punuar shumë.

Mësuesi i tij kujdestar, Rob Shaw thotë se në një moment si ky, nuk ndihet krenar që është shtetas britanik.

Sipas Shaw, 18-vjeçari sapo ka përfunduar shkëlqyeshëm provimet ne biologji, kimi dhe matematikë, ndërsa drejtoresha Elisabeth Gilpin e përshkroi si një “nxënës të rrallë dhe një pasuri të madhe për shkollën”.