Zvicër

Mentaliteti i shtetndërtimit mes Singaporit dhe Kosovës

Redaktori i albinfo.ch, Bekim Dalipi sjell një shkrim nga udhëtimi i tij në Singapore

Ka vende me politikanë që ndërtojnë qytetarë optimistë, si Singapori. Dhe ka vende me politikanë që prodhojnë pesimizëm kolektiv.

Dallimi nuk fillon te pasuria.As te madhësia e shtetit.Fillon te përgjegjësia kolektive dhe kultura shtetformuese.

Në Kosovë ekziston një figurë interesante sociale: taksisti.

Prej vitesh, gazetarët shqiptarë e kanë përdorur si “barometrin” e realitetit, sepse ai është gjithmonë në rrugë, dëgjon histori, takon njerëz të të gjitha shtresave dhe e sheh përditshmërinë pa syrin e propagandës politike.

Por taksisti shqiptar shpesh të jep ndjesinë e një njeriu të dorëzuar.

Ai flet për jetën si barrë.Për shtetin si mashtrim.Për të ardhmen si për diçka që nuk vjen kurrë.

Ky depresion ka filluar të bëhet kolektiv dhe është shndërruar edhe në pjesë të humorit urban.

Storja e mërgimtarit të moshuar që vdes në motel për shkak të mbidozës së Viagrës ilustron këtë gjendje në mënyrë groteske.

Ironia qëndron në faktin se një mërgimtar i moshuar vjen nga Zvicra apo Gjermania për të kaluar disa ditë pasioni me të dashurën që e ka në Kosovë.

Sapo ateron në Kosovë, merr një Viagra që të jetë gati për sfidën që e pret psh. në një nga motelet e Gjilanit.

Por deri sa mbërrin në Gjilan, taksisti ia shuan gjithë entuziazmin me rrëfime për korrupsionin, varfërinë, padrejtësinë dhe mungesën e shpresës.

Kur arrin në motel, ndien nevojën për Viagrën e dytë që ta përfundojë “misionin shpirtëror”, pa e menduar fatalitetin e mbidozës, e cila epshin për dashuri të vonshme, pak a shumë si patriotizmin e vonshëm, e mbyll me fatalitet.

Ky është humor brutal.
Por nuk është krejt i trilluar.

Sepse brenda tij fshihet një e vërtetë e hidhur:depresioni shoqëror ka filluar të kthehet në identitet.

Dhe kur ky mentalitet mbështetet edhe nga diaspora, që jeton në vende shumë më funksionale se Kosova, atëherë kjo bëhet alarm për të ardhmen e vendit.

Sepse i krijon luksin politikanit demagog që të vazhdojë t’i ushqejë qytetarët me emocione momentale, patriotizëm folklorik dhe premtime që zgjasin vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme.
Por që janë fatale për të ardhmen e vendit.

Sepse mbidoza nuk mbyt vetëm në dashuri. Mbyt edhe kur shfaqet përmes një patriotizmi që në thelb nuk ekziston.

Sido që të jetë, në Singapor përjetova diçka krejt tjetër.

Përdora disa herë taksinë dhe nga bisedat me shoferët mësova një detaj që më la mbresë: këtë profesion nuk mund ta ushtrojnë të huajt. Taksi mund të drejtojnë vetëm vendasit.

Jo rastësisht.

Shteti e ka kuptuar se taksisti është ambasadori i parë i vendit. Ai është njeriu që turisti takon i pari. Nëse ai mashtron, vjedh apo krijon ndjenjën e kaosit, dëmtohet imazhi i të gjithë shtetit.

Ky është niveli i mendimit shtetëror në Singapor:kujdes deri në detaj.

Singapori nuk kishte pasuri natyrore.Nuk kishte territor të madh.Madje kishte mungesë uji.

Por kishte politikanë vizionarë.

Nën udhëheqjen e Lee Kuan Yew, vendi ndërtoi administratë efikase, luftoi korrupsionin, investoi në arsim dhe krijoi disiplinë shtetërore.

Brenda pak dekadash, Singapori u bë një nga shtetet më të zhvilluara në botë.Sot gjithçka funksionon:pastërtia, siguria, ligji dhe institucionet.

Por, siç thoshte taksisti, të rinjtë nuk e duan atë. Ata e urrejnë, sepse nuk janë të vetëdijshëm për rrugën e vështirë dhe sakrificën që është bërë për të arritur deri këtu.

Dhe pikërisht aty mendova për Kosovën. Edhe Kosova është ndërtuar mbi sakrificë.

Figura si Rugova e Thaçi me UÇK-në në krye mbeten pjesa më lavdishme e shtetformimit të Kosovës. Megjithatë, ata shpesh fyhen, urrehen dhe nuk pëlqehen nga një pjesë e elitës politike dhe votuesve të rinj.

Politika aktuale është mbushur me populizëm, propagandë dhe përçarje, ndërsa ndërtimi i institucioneve ka mbetur në plan të dytë.

Një lider i madh nuk matet me fjalime patriotike. Matet me institucionet që lë pas.

Dallimi mes shteteve të zhvilluara dhe atyre të dobëta nuk është racor. As kulturor.Është institucional.Është politik.

Popujt e zhvilluar nuk kanë ADN më të mirë.Kanë institucione më të mira.Kanë ligje që respektohen, në radhë të parë nga politikanët dhe pastaj nga popullata.

Popujt e zhvilluar kanë politianë që mendojnë për shtetin dhe jo për pushtetin.

Singapori është prova se edhe një vend i vogël mund të bëhet fuqi globale kur ndërtohet mbi meritokraci, disiplinë dhe shtet funksional.

Kosova ende ka mundësi.

Por asnjë shoqëri nuk zhvillohet duke e kthyer pesimizmin në identitet kombëtar.

Sepse në fund, edhe mënyra si flet taksisti për vendin e vet është pasqyrë e shtetit që politika ka ndërtuar.

Dhe ju, qytetarë të Kosovës e ju diasporë shqiptare, jeni të lirë të votoni kë të doni.

Por lini inatet.
Mendoni për shtetin.
Mos votoni ata që jetojnë nga britmat, përçarja dhe emocionet momentale.

Sepse shtetet nuk ndërtohen me britma:“Rroftë mbreti, poshtë mbreti”.

As me viktimizim të përhershëm.As me patriotizëm sezonal.

Shteti ndërtohet me përgjegjësi kolektive.

Dhe mbi të gjitha:me politikanë që mendojnë për shtetin më shumë sesa për pushtetin.

Bekim Dalipi

Lexoni po ashtu:

Australia nga afër, mes pafundësisë, heshtjes dhe rendit