Lajme
Fillojnë “pazaret” për presidentin e ardhshëm të Kosovës
Pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, mediat kanë filluar të raportojnë për postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, që duhet të zgjidhet nga përbërja e re e Kuvendit, në bazë të “pazarllëqeve” që do të bëhen midis partnerëve të koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Sipas medieve, president i Kosovës ka mundësi të bëhet edhe ndonjë personalitet i njohur publik, i cili nuk ka kaluar nëpër procesin zgjedhor. Një gjë të tillë nuk e përjashtojnë disa prej drejtuesve të PDK-së, ani se shefi i tyre një ditë më herët ka thënë se në krye të shtetit mund të vendoset vetëm dikush që i është nënshtruar vullnetit të qytetarëve.
Si nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi, ashtu edhe anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku, kanë thënë se kandidati për president të ardhshëm do të dal si produkt i bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës, që do të zhvillohen mes strukturave udhëheqëse të PDK-së, dhe atyre të partive që do të hyjnë në bashkëqeverisje.
Me këtë rast, të dy kanë lënë për të kuptuar se do të jetë partia që e fiton këtë pozitë ajo që vendos për kandidatin që do ta propozojë.
Në një deklarim për mediat, Rexhepi ka thënë se posti i presidentit dhe kryetarit të Kuvendit do të jenë pjesë e pazareve gjatë ndarjes së pushteteve me partitë tjera.
Me gjithë sugjerimet e ndërkombëtarëve dhe shoqërisë civile, që të ketë një president të kapshëm për të gjithë, edhe kësaj radhe ky post do të jetë në tavolinën e negociatave për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka filluar të premten pasdite shqyrtimin e ankesave lidhur me aktvendimet refuzuese të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani ka thënë se kanë arritur gjashtë ankesa të dorëzuara. Sipas Hasanit, të gjitha ankesat janë bërë ndaj Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR).
Sipas Ligjit për zgjedhjet, Gjykata Supreme duhet brenda 72 orësh të vendosë rreth ankesave dhe më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mund të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se në momentin kur të marrin përgjigje nga Gjykata Supreme, menjëherë do të certifikohen zgjedhjet.
Nëse nuk pranohen ankesat nga Gjykata Supreme, atëherë KQZ-ja, më së voni, të hënën certifikon kandidatët që fituan në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit dhe më ketë do të bëhej konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit, ndërsa para 17 shkurtit është thënë se do të formohet qeveria e re, pasi që kreu i PDK-së, ta marr mandatin nga ushtruesi i presidentit Jakup Krasniqi.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Përfundon shpërndarja e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë në diasporë Rreth 17 mijë tekste shkollore janë dërguar në 18 shtete për të mbështetur mësimin e gjuhës... -
Gjilani mirëpret mërgatën me tetë ditë aktivitete kulturore dhe artistike -
Gjermani: Procedim penal për dy shtetas të Kosovës që qëndronin ilegalisht në vend -
Ekstradohet nga Italia në Kosovë një i kërkuar nga INTERPOL-i për falsifikim dokumentesh -
Vizitorë të shumtë nga diaspora zgjedhin Bibliotekën Kombëtare gjatë pushimeve në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Ku qëndron frangu në raport me euron dhe dollarin? Monedha zvicerane mbetet ndër më të fortat në botë, ndërsa euro dhe sidomos dollari kanë humbur... -
AI po ndryshon tregun e punës në Zvicër, përvoja me inteligjencën artificiale po bëhet kusht për punësim -
Zvicër: Rikthehet debati për nënat surrogate -
Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin sjellin plagët e Kosovës në Gjenevë -
Graubünden: Arrestohen një shqiptar dhe një zviceran me mbi 1.5 kilogram kokainë dhe heroinë














