Sport

Cana: Është vetëm një Kombëtare

“Gjithmonë ka patur përfaqësuese, ndërsa tani kemi një kombëtare, pasi përfaqësohen të gjithë shqiptarët”, u shpreh Cana

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se është vetëm një Kombëtare, pavarësisht se Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA, shkruan albinfo.ch.

 

Kështu ka thënë Cana nga Austria, ku Shqipëria po përgatitet për Evropian.

 

“Është kënaqësi që jemi këtu për të përgatitur një event kaq të madh të cilin e kemi pritur kaq shumë. Është e vështirë për të thënë sa pikë. Mundemi që me një fitore të kualifikohemi, dhe deri në ndeshjen e fundit jemi në lojë. Edhe këtë radhë nuk është ndryshe, pasi ndeshja e parë është e rëndësishme. Është kundërshtar i vështirë dhe do të përgatitet po ashtu si ne”, deklaroi Cana.

 

Ndeshjet ndaj Francës dhe Zvicrës janë të veçanta. “Në jetë disa gjëra simbolike apo shenja të fatit që janë për tu habitur. Përveç evenimentit që të gjithë prisnim për mua është e veçantë pasi luhet në Francë aty ku unë kam luajtur, do luajmë në Marsejë ku jeton familja ime. Do të luajmë ndaj Zvicrës ku jam rritur. Ndeshja e parë ndaj Zvicrës ka qenë më 11 qershor 2003, edhe kësaj radhe ndaj tyre, luhet më 11 qershor dhe kjo është e veçantë”, shtoi kapiteni kuqezi.

Ai flet edhe për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. “Gjithmonë ka patur përfaqësuese, ndërsa tani kemi një kombëtare, pasi përfaqësohen të gjithë shqiptarët. Ashtu si ka thënë edhe presidenti Armando Duka e kemi mbështetur Kosovën dhe duhet parë si një mundësi për zhvillimin e sportit dhe jo si përfaqësim në vetvete. Duhet ta shohin si mundësi zhvillimi ndoshta në të ardhmen të shpresojmë në një bashkim”, theksoi ndër të tjera Cana, i cili zbuloi se do të largohet nga Nantes.