Sport

Përfundon aventura e Shqipërisë në Evropian

Kjo ishte hera e parë e kuqezinjve që marrin pjesë në një Kampionat Evropian dhe sigurisht nuk u larguan nga Franca pa gjurmë

Të mërkurën përfunduan ndeshjet në fazën e grupeve, ku Kombëtarja shqiptare u eliminua dhe nuk kishte mrekulli për të, shkruan albinfo.ch.

Megjithatë, aventura e kuqezinjve në Evropian ishte me plot krenari dhe dinjitet, duke i bërë krenarë shqiptarët anembanë botës. Shqipëria gjeti në short Francën organizatore, Zvicrën me lojtarë me origjinë shqiptare dhe Rumaninë. Edhe pse shihej si më pak favorite, Shqipëria arriti të merrte një 3 pikësh për të mos dalë e fundit në grup dhe për të mbajtur shpresat për një kualifikim mes të tretave më të mira.

Ndeshja e parë për kuqezinjtë ishte ajo e 11 qershorit përballë Zvicrës. Një ndeshje mjaft e pritur, për shkak se në kombëtaren kundërshtarë luanin në formacion pesë shqiptarë. Takim emocionues ishte ai mes dy vëllezërve Xhaka, ku njëri luan për Shqipërinë dhe tjetri për Zvicrën. Kuqezinjtë e nisën keq takimin, teksa pësuan një gol nga zviceranët me anë të Schar. Pas ndeshjes me Zvicrën, më shumë u vlerësuan kuqezinjtë që luajtën më mirë se kundërshtarët edhe pse me një lojtar më pak. Shije të hidhur la vetëm ai gjest i Xhakës, kur zëvendësohej nga Kaçe. Djaloshi përplasi shishen e ujit në stol në shenjë nervozizmi.

Ndeshjen e dytë kuqezinjtë e zhvilluan ndaj Francës organizatore në Marsejë. Në minutat e fundit shfaqet sindroma e vjetër. Grizmann arrin të shënojë me kokë gjatë një kundërsulmi. Një minutë më pas, kur kuqezinjtë kërkonin më kot golin e barazimit vjen edhe dyti me anë të Dimitri Payet, që u la i vetëm. Ky gol i kushtoi rëndë kombëtares shqiptare, pasi nëse nuk do ta kishte pësuar, atëherë do të ishte në renditjen e të tretave më të mira mbi Turqinë dhe mund të shpresonte për më tej.

Por edhe pas kësaj humbjeje, mediat ndërkombëtare i bënë jehonë lojës së kuqezinjve. Ato vlerësuan shpirtin luftarak dhe lojën për fanellë të lojtarëve tanë. Edhe De Biasi refuzonte çdo kritikë ndaj lojtarëve, ndërsa Agolli u shfaq i përlotur pas ndeshjes. Mbajti peshën e madhe të kapitenit në fushë dhe la shpirtin për një rezultat pozitiv.

Ndeshja e fundit e Shqipërisë në këtë kompeticion ishte ajo ndaj Rumanisë në Lion. Atmosfera ishte elektrizuese dhe Shqipëria zgjodhi fanellat e zeza, të njëjta me ato që siguroi kualifikimin në ‘Euro 2016’ në ndeshjen ndaj Armenisë. Kjo ishte ndeshja e së vërtetës për kuqezinjtë që e morën atë që meritonin. Sadiku pas një rasti të humbur nga Memushaj brenda zonës, merr një top prej tij dhe me zgjuarsi mposht portierin dhe mbrojtësin rumun me një goditje me kokë. Ishte goli i parë i Shqipërisë në një kompeticion, duke vendosur një rekord, si edhe pas 90 minutave ishte fitorja e parë në një kompeticion të tillë. Megjithatë kuqezinjtë fituan duke bërë jehonë në të gjithë botën. Loja e mirë e dy ndeshjeve të para u shpërblye, pikët e para në kompeticion u morën, por nuk mbaroi me kaq. Shqipëria kishte shans që të kalonte grupin, po kësaj radhe ky shans ishte në duart e skuadrave të tjera.

Pas ndeshjes të së dielës, nisën ankthi dhe llogaritë për kuqezinjtë. Pa u luajtur ndeshjet e tjera Shqipëria ishte në vendin e tretë ndër të tretat më të mira, duke patur Irlandën e Veriut dhe Sllovakinë mbi krye. Shqiptarët shpresuan për një fitore të thellë të Anglisë ndaj Sllovakisë në Grupin B, por erdhi zhgënjimi i parë nga të mëdhatë. Anglia u ndal 0:0 nga Sllovakia duke shfaqur një lojë të përgjumur.

Një ditë më pas erdhën dy zhgënjime të tjera. Shqipëria priste që Turqia të barazonte ose të mundte Çekinë dhe Gjermania të fitonte me Irlandën e Veriut me rezultat 4+. Asnjëra nga të dyja nuk ndodhi. Gjermania e lodhur në sulm por me shumë raste iu fal golit të Gomez për të fituar ndeshjen minimalisht, ndërsa turqit mposhtën 2:0 Çekinë, duke kaluar mbi Shqipërinë në të tretat më të mira dhe duke e lënë Shqipërinë në vendin e katërt.

Por shpresat u shuan përfundimisht në takimin dramatik, ku prisnim fitoren e Hungarisë ndaj Portugalisë. Hungaria e para e grupit F e nisi mirë takimin duke kaluar në avantazh, por portugezët barazuan shpejt me Nanin. Ishte një ndeshje me shumë gola, por që në fund përfundoi me rezultatin 3:3 që u shkoi për shtat të dyjave. Portugalia ngjitet mbi Shqipërinë dhe kuqezinjtë eliminohen.