albinfo.ch
Kultura
Eda Zari shkrin muret me publikun në koncertin e saj në Cyrih
Me zërin e saj të magjishëm dhe me interpretimin unik prej një artisteje komplete ajo ka arritur atë që rrallë këngëtar e arrin: të thyejë barrierat në mes të saj dhe publikut dhe të shkrihet në një duke i bërë të pranishmit të këndojnë si në kor me të
Diva e muzikës shqiptare, Eda Zari i ka dhuruar publikut shqiptar dhe zviceran të premten një mbrëmje përplot emocione në koncertin e saj të mbajtur në Cyrih. Ky përjetim është pjesë e serisë së koncerteve me vlera që Fatmir Bardh Haziri me kompaninë e tij “Different Show” po i ofron publikut shqiptar prej disa vitesh. Ai ka dëshmuar edhe me këtë mbrëmje se misioni fisnik që i ka ngarkuar vetes ia ka vlejtur.
Eda Zari mbrëmë, ashtu sikurse edhe të tjerët më parë në këtë seri, si Elina Duni, Alban Skenderaj pastaj bendet “Troja”, “Jericho”, etj. me vlerat që kanë sjellë në mesin e mërgatës së këtushme shqiptare, po arrijnë të sfidojnë “kulturën” e tallavasë, e cila është ngulitur kaq fort në shijen muzikoree të shqiptarëve, sidomos atyre në diasporë, shkruan albinfo.ch.
Eda Zari me zërin e saj të magjishëm dhe me interpretimin unik prej një artisteje komplete ka arritur atë që rrallë këngëtar e arrin: të thyejë barrierat në mes të saj dhe publikut dhe të shkrihet në një duke i bërë të pranishmit të këndojnë si në kor me të.
Repertori i Eda Zarit, ishte ai që e njohim, një përpunim mjeshtëror në xhaz i melosit burimor nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo nuk mjaftohet me dhënien e ngjyrimit të xhazit por e shtrin dhe e thellon këngën shqiptare duke i dhënë asaj edhe dimensione të reja, të paimagjinueshme por pa e tradhtuar shtratin ku e ka burimin ajo këngë. Me këndimin e ëmbël por dhe me një ambitus të fuqishëm që e vinte në veprim kur nevojitej, Eda sillte në skenën e Cyrihut magjinë e këngës shqipe nga malësitë dhe ultësirat e jugut e të veriut shqiptar, gjithmonë duke i falur asaj pa kursim xhevahire nga shpirti dhe dija e saj e thellë e muzikës, jo vetëm shqiptare.
Mbrëmja me Eda Zarin ishte një përjetim i veçantë edhe për një gjë: në një pjesë të koncertit asaj iu bashkua edhe këngëtarja tjetër e xhazit, simotra e saj nga Zvicra Elina Duni. Të dyja bashkë i ofruan publikut një dhuratë të çmuar muzikore dhe e morën atë në një udhëtim të këndshëm me këngën e bukur shqiptare, . Të dyja, në Cyrih kishin ardhur pothuajse drejtpërdrejt nga veriu i Shqipërisë, gjegjësisht nga Valbona, ku ato bashkë me shumë artistë të tjerë e kanë nisur misionin e tyre për shpëtimin e kësaj perle të natyrës shqiptare.
Dy paraqitje të shkëlqyera që i paraprinë koncertit të Eda Zarit, vëllezërit Patrik e Floris Zejnullahu me këngë në njërën anë dhe babë e bir Ali e Ron Atiqi me kitarë klasike në anën tjetër, bënë që përjetimi i kësaj mbrëmjeje të ishte edhe më i plotësuar dhe i pasuruar.
albinfo.ch ka qenë partner medial i koncertit në Cyrih. Eda Zari ka dhënë një intervistë për mediumin tonë, të cilën do ta publikojmë këto ditë.
(Fotot: Alban Hamza dhe Armend Berisha)
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm për të burgosurin shqiptar: Ka vrarë një të burgosur tjetër Ai tashmë po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje. Tani, personi 43-vjeçar... -
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, rritet fluksi në pikat kufitare -
Kush është shqiptari që ishte pjesë e triumfit të Spanjës në Botërorin 2026? -
Pritje deri në 90 minuta në Dheu i Bardhë, rritet fluksi në pikat kufitare të Kosovës -
Zvicër
Hekuran Bytyçi doktoron në Zvicër dhe merr pozitë udhëheqëse në kardiologji
Jeta në Zvicër
-
Zvicra nuk ndjek shembullin gjerman: vazhdon shitja e alkoolit në stacionet hekurudhore Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) nuk do të vendosin ndalim të përgjithshëm për konsumimin e alkoolit në... -
Çmimet e benzinës rriten sërish në kulmin e sezonit të pushimeve -
Zvicër: Kritika për burokracinë ndaj klubeve të vogla -
Novartis: Rënie prej 16 % e të ardhurave neto -
Punëtori kosovar i sigurimit përfshihet në një përleshje në burgun zviceran: 15 muaj burg






























