Lajme
Shfrytëzuan shtetet fqinje për të ikur në ISIS
Për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, disa qytetarë të Kosovës e kishin përdorur si urë kalimi Malin e Zi. Xhihadistët, sipas KIPRED, po shfrytëzojnë rrugë alternative për të shkuar në ISIS
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) thotë se disa persona nga Kosova dhe Ballkani kanë gjetur rrugë alternative për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri e Irak. Ky raporti i KIPRED, i demanton deklarata institucionale në Prishtinë, të cilat janë zotuar se xhihadistëve u është bllokuar rruga për t’iu bashkuar ISIS-it.
Në raportin e KIPRED thuhet se me gjithë përpjekjet e institucioneve të Kosovës, disa persona kanë arritur që përmes rrugëve alternative, të depërtojnë në vatrat e luftës për t’iu bashkuar grupeve tashmë të shpallura terroriste.
Aty citohen kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të kenë përsëritur në disa raste se për afër një vit nuk kishte shkuarje të reja të qytetarëve të Kosovës në këto luftëra.
“Por, realiteti duket të jetë ndryshe, sepse personat brenda Kosovës vazhduan të organizojnë pa asnjë problem udhëtimin, duke i sfiduar kësisoj organet e sigurisë, dhe kjo paraqet një brengë të madhe për sigurinë e vendit”, thuhet në hulumtim.
Për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, vijon hulumtimi, këta qytetarë të Kosovës e kishin përdorur si urë kalimi një shtet fqinj, gjegjësisht Malin e Zi.
“Vazhdimi i shkuarjes së kosovarëve për në zonat e luftës gjatë kohës sa zyrtarët e institucioneve të Kosovës deklaronin se “asnjë Kosovar nuk ka udhëtuar për në vatrat e luftës”, vë në pah boshllëkun në institucionet e inteligjencës, si AKI-ja, dhe të Policisë e Kosovës”, vijon hulumtimi, citon REL.
Aty thuhet po ashtu se personat qe kanë organizuar këtë udhëtim, e kanë kryer veprimin e tyre në një kohë kur institucionet e sigurisë kanë qenë duke u krenuar lidhur me atë se nuk ka persona që udhëtojnë më për në Siri dhe Irak.
Nga ana tjetër, në një konferencë për gazetarë, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka theksuar se në bazë të informacioneve zyrtare, asnjë qytetar i Kosovës, këta muajt e fundit, nuk ka shkuar në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.
“Gati për një vit nuk kemi regjistruar asnjë person. Nuk mund të garantoj që nuk ka asnjë rast të shkuarjes në Siri dhe Irak. Mund të ketë. Por, po flas për atë që ne e kemi në regjistër. Prapë, nuk jemi të sigurt se nuk e dimë ku mund të godasin. Tash kohëve të fundit ka dal ky fenomeni i ujqërve të vetmuar, individ me prirje terroriste, me prirje për radikalizëm”, tha Hyseni.
Në anën tjetër, në hulumtimin e KIPRED-it thuhet po ashtu se meqë tashmë është e qartë që ISIS ka ndërruar strategjinë e vet në raport me mbështetësit që i ka në Ballkan, institucionet e sigurisë, përfshirë këtu edhe Këshillin e Sigurisë, do të duhej t’i njoftojnë qytetarët e Kosovës për nivelin e rrezikut dhe kërcënimit nga sulmet terroriste, së bashku me masat përkatëse të kujdesit.
Kosova cilësohet si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj në krahasim me numrin e përgjithshëm të banorëve në gjithë zonën e Evropës, me rreth 300 qytetarë të saj që në vitin 2012 iu bashkuan grupeve militante në Lindjen e Mesme. Një numër prej afro 120 syresh, brenda pak vitesh, të dëshpëruar me përjetimet dhe trajtimin, u kthyen në vend, ndërkohë që afro 60 të tjerë u vranë në zonat e luftës.
Ndaj të kthyerve janë duke vazhduar proceset gjyqësore, ndërsa disa klerikë që kanë nxitur shkuarjen në ISIS janë dënuar nga gjykatat kosovare. Më së shumti është dënuar imami i Gjilanit, Zeqirja Qazimi me 10 vjet burg, për financim dhe nxitje të të rinjve për shkuarje në luftën e Shamit.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat... -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike
Jeta në Zvicër
-
Teknologjia zvicerane që po ndryshon trajtimin e tumoreve Radioterapia inovative zvicerane për trajtim të saktë të tumoreve... -
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike












