Për shqiptarët dhe portugezët “shkollë speciale” për vozitje!

"Fushata nuk ka qëllime raciste. Qëllimi ynë është vetëm zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe forcimi i kohezionit në kanton"

Kantoni i Freiburgut, për të bërë parandalimin e aksidenteve në trafik, ka ndërmarrë një fushatë përmes të cilës synon t`ua mësojë ngasjen korrekte të makinave, shqiptarëve dhe portugezëve të këtushëm. Qendra profesionale për integrim është bartëse e fushatës me moton “Vozitja në Zvicër”, e cila ka për qëllim sensibilizimin e këtyre dy komuniteteve me rrethanat zvicerane të trafikut rrugor.

Në këtë kuadër, të premten (nesër) në program të fushatës ka prezantime, lojëra teatrore, raportime dhe shfaqje filmash. Një broshurë speciale, në gjuhën shqipe dhe portugeze ka për qëllim t`u sqarojë personave të këtyre komuniteteve pasojat e ngasjes së shpejtë ose të parkimit të gabueshëm.

Konceptin e fushatës e kanë bërë bashkë me zyrën për integrim, edhe përfaqësuesit e komunieteve përkatëse, shqiptare dhe portugeze, shkruan tagesanzeiger.ch.

Të ballafaquar me vërejtjen nëse veçimi i dy komuniteteve mund të kuptohet si diskriminim ose stigmatizim i tyre, përfaqësuesi i zyrës për integrim Bernard Tétard ka thënë për mediet zvicerane se “këto dy komunitete nuk janë gjithmonë në korrent me më të rejat lidhur me rregullat që zbatohen në Zvicër”.

Të porsaardhurit nga Shqipëria e Portugalia shpesh herë nuk janë të informuar lidhur me ashpërsinë e rregullave që vlejnë këtu. Kështu për shembull, në Portugali kontrollet e natës në trafik janë shumë më të rralla se sa në Zvicër. Për arsye të tilla, shihet e nevojshme që atyre t`u sqarohen rregullat që vlejnë këtu.

Arsyeja tjetër përse janë pikërisht portugezët dhe shqiptarët objekt i kësaj fushate, është numri i madh i tyre në këtë kanton. “Rreth një e treta e të huajve me qëndrim në Freiburg janë portugezë ndërsa numri i shqiptarëve është rreth 7000”. Tétard nuk pranon se fushata mund të ketë qëllime raciste. “Qëllimi ynë është vetëm zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe forcimi i kohezionit në kanton”, ka thënë ai.