Gjuha
Festë për semimaturantët shqiptarë të tre kantoneve
Të gjithë, pas tetë vitesh mësim në shkollën shqipe arritën të përfundojnë me sukses mësimet duke qenë krenarë për angazhimin e tyre në shkollën shqipe dhe duke dëshmuar se dashuria ndaj gjuhës dhe identitetit kombëtar është një nga detyrat kryesore të këtyre të rinjve
Të shtunën, më 23 qershor 2018 semimaturantët shqiptarë të Kantonit të St. Gallenit dhe të Kantonit të Glarusit përfunduan vitin shkollor 2017/18 dhe njëherësh përfunduan edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Bashkë me ta në këtë mbrëmje të bukur ishin edhe semimaturantët e shkollës shqipe të Afolternit, të Kantonit të Cyrihut.
Për të shënuar këtë arritje, u mbajt një mbrëmje me program artistik të shkollës shqiptare në këtë regjion.
Mbrëmjen e semimaturës e hapi grupi i valleve i shkollës shqipe të Buchs-it, pjesëtarët e të cilit, nën tingujt e valles shqiptare paralajmëruan mbrëmjen festive.
Të gjithë, pas tetë vitesh mësim në shkollën shqipe arritën të përfundojnë me sukses mësimet duke qenë krenarë për angazhimin e tyre në shkollën shqipe dhe duke dëshmuar se dashuria ndaj gjuhës dhe identitetit kombëtar është një nga detyrat kryesore të këtyre të rinjve. Prandaj, edhe mësuesit dhe prindërit, me kryetarin e Kryesisë kantonale z. Mehmetali Sherifi në krye, në shenjë respekti për angazhimin e tyre shembullor ndër vite, organizuan për ta mbrëmjen e semimaturës.
Pas valles së bukur shqipe, moderatorja e mbrëmjes, mësuesja e shkollës shqipe Shehrie Mustafa njoftoi pjesëmarrësit se në këtë mbrëmje përveç semimaturantëve dhe familjeve të tyre, ishin edhe mësuesit dhe anëtarët e Këshillit Kantonal, të cilët kishin ardhur që t`i shoqërojnë ata.
Nën tingujt e bukur të këngës shqipe parakaluan semimaturantët: Hyrie Osmani, Abdullah Osmani, Mentor Ramadani, Shkëmb Rexhepi dhe Eljesa Mustafa (nxënës të mësuesit Gani Shala), Anesa Bilalli, Jasmina Fetai, Vlera Kastrati, Anduena Sijarina dhe Dijar Rashiti (nxënës të mësuesit Vaxhid Sejdiu), Endrit Sadiku dhe Bleona Arifi (nxënës të mësueses Anita Asani), Emsel Mavmudoski, Arbër Alaj, Fatlum Rexhepi, Ajlinda Sherifi dhe Rasim Mavmudovski (nxënës të mësueses Safije Skenderi), si dhe Enis Nuhiji, Vjollca Asani dhe Florentina Ajvazi (nxënës të mësueses Shehrie Mustafa).
Të ftuar një nga një, të shoqëruar nga nxënësit Elma Veseli dhe Jetmir Përgjegjaj, të cilët mbanin flamuj në dorë, si dhe nën duartrokitjet e pjesëmarrësve, të cilët në shenjë respekti, ishin ngritur në këmbë, ata pushtuan skenën e sallës, e cila ishte zbukuruar enkas për këtë natë.
Ata ndiheshin të nderuar, krenarë për vitet që kishin kaluar në shkollën shqipe. Entuziazmi i tyre na obligon të gjithë neve mësuesve, prindërve dhe gjithë dashamirësit e arsimit dhe kulturës shqiptare që të punojmë më tepër, që shkolla shqipe të ketë sa më shumë nxënës.
Tri nxënëset më të reja të Buchsit (Lorena Emërllahu, Elma Asipi dhe Ezana Nuhiji) iu shpërndanë semimaturantëve lule duke ju uruar shumë suksese në të ardhmen. Pastaj mësuesit i ndanë mirënjohjet, kurse nxënëset: Rina Maksutaj, Ermira Ameti dhe Era Islamaj, në shenjë mirënjohjej ndaj shoqeve të shkollës shqipe iu shpërndanë vizatime, të cilat i kishin punuar vetë.
Pas fotografimeve të rastit vazhdoi programi me mbrëmjen muzikore me këngëtaren Leonita Markjakaj dhe grupin e saj.
Dhe fare në fund duke e parë entuziazmin e nxënësve në këtë mbrëmje festive, programi mbyllet me një thënie të Sami Frashërit: „Nëse don të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë, nëse don të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë“
(Sektori për informim i Kantonit të St. Gallenit, Shehrie Mustafa – mësuese)
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre
















