Lajme
Kosova përkujton Masakrën e Reçakut
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka quajtur një krimi makabër atë që kishte ndodhur në mëngjesin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku vranë 45 civilë shqiptarë
Qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar të mërkurën 15 vjetorin e masakrës së Reçakut, njërës nga skenat më rrëqethëse që tronditi botën në vitin 1999. Kjo ngjarje që përkujton vrasjen e 45 shqiptarëve nga policia dhe ushtra serbe, rikthen në kujtesë tragjedinë e luftës së Kosovës.
Si rëndomtë, më vështirë e kishin familjarët e viktimave, të cilët gjatë homazheve në kompleksin memorial në Reçak të Shtimes, kërkonin drejtësi për ata që bënë masakrën dhe që urdhëruan vrasjen e më të dashurve të tyre.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka quajtur një krimi makabër atë që kishte ndodhur në mëngjesin e 15 janarit 1999 në Reçak. Ajo tha se ajo ngjarje la familjet e Reçakut dhe shumë familje të tjera në tërë Kosovën përjetësisht të zhytura në dhembje dhe me zemra të thyera.
Ndërsa veprimtari dhe ish i burgosuri politik, Adem Demaçi para familjarëve të viktimave nuk ka hezituar që ta quajë popullin serb viktimë. “Populli i gjorë serb është në
duart e Daçiqave, Nikoliqave…”, ka thënë mes tjerash Demaçi, sipas të cilit, UÇK-ja nuk
bëri krime të tilla.
Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi, ka deklaruar se pesëmbëdhjetë vjet më parë, në fund të shekullit të njëzet, në një vendbanim të Kosovës një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike në shkallë planetare.
Ai tha se gra, burra, bujq të paarmatosur, fëmijë dhe të rinj ishin vrarë dhe shfytyruar mizorisht nga makineria e kasapit të Ballkanit, Milosheviq.
“Falë shpejtësisë së informimit dhe ndjeshmërisë politike të botës demokratike, Reçaku u bë pikë kthese e zhvillimeve të vrullshme diplomatike, përshpejtuar organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri më tej tha se mbi gjakun dhe sakrificat e shumta shekullore, mbi gjakun dhe sakrificën e freskët të Reçakut nisi përshpejtimin historia e çlirimit të Kosovës, kur Perëndimi lëvizi mekanizmin e ushtarak NATO-n. “Sakrifica e Reçakut është simbol i zgjimit të ndërgjegjes botërore”, ka deklaruar Thaçi.
Homazhe tek kompleksi memorial në Reçak kanë bërë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe ata të partive politike.
“Tragjedia e Reçakut, e cilësuar nga misioni i atëhershëm vëzhgues i OSBE-së, shefi i tij William Walker dhe bota e qytetëruar, si krim kundër njerëzimit, shënoi momentin vendimtar të kthesës për Kosovën, duke bërë që qendrat më të rëndësishme të vendosjes, paqedashësit dhe demokracia botërore të vihet përfundimisht në anën tonë”, konsideron partia e Ramush Haradinajt AAK.
Sikur sot, 15 vjet më parë, në Reçak u vranë 45 burra, pleq dhe të rinj nga forcat serbe. Disa prej viktimave u gjetën me koka të prera, ndërsa i pari që vizitoi vendin ku ndodhi krimi ishte ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker.
Ai u tmerrua nga ajo që pa në fshatin Reçak, ndërsa menjëherë i formoi të gjitha kancelaritë e botës, se në Kosovë ndodhi një “krim kundër njerëzimit”. Duke e parë se kjo ngjarje tronditi botën, forcat serbe i morën me vete të vrarët për të manipuluar me ta dhe për t’i etiketuar si ish guerilë të UÇK-së.
Mirëpo pas kësaj masakre, ngjarjet në terren ndërruan kahe. Menjëherë u organizua konferenca ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, e cila më pas u përcoll me fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Gjashtë muaj pas kësaj masakre, forcat e NATO-s u futën në Kosovë, ndërsa Milloshevqi nënshkroi kapitullimin.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Prokuroria e St. Gallenit ndëshkon një pasagjer treni për racizëm "Tamil i ndyrë", "Sri Lanka i ndyrë", "Kthehu në vendin tënd", kishte thënë ai gjatë një... -
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje -
Nigeriani padit në Strasburg policinë e Cyrihut -
Vit i vështirë në industrinë e orëve, më pak vende pune -
Të paktën gjysma e akullnajave të botës do të zhduken deri në vitin 2100










