E-Diaspora

“Urat muzikore” që lidhin Shqipërinë m Gjermaninë

Këtij qëllimi i shërben projekti Brücken Bauen "Të ndertojmë ura", i cili sjell muzikën shqiptare në Gjermani dhe atë gjermane në Shqipëri

Ndërtimi i urave të lidhjes, njohjes mes popujve më së miri bëhet përmes muzikës, gjuhës së saj universale. Këtij qëllimi i shërben projekti Brücken Bauen “Të ndertojmë ura”, i cili sjell muzikën shqiptare në Gjermani dhe atë gjermane në Shqipëri.„Ne jemi të gëzuar, që mbështesim krijimin e urave duke çuar artin në vende të tjera dhe duke sjellë atë që andej tek ne”, u shpreh në fillim të mbrëmjes muzikore Dr. Michael Bormann, përfaqësuesi i bankes KFW, një nga mbështetësit e projektit.

Mbrëmja muzikore „Albanische Serenade“, (Serenata shqiptar) e organizuar me 12.06. në Këln, është pjesa gjermane e projektit „Të ndertojmë ura“, e cila do të pasohet nga pjesa shqiptare, me koncertet, që Kölner Orchester Gesellschaft (shoqëria orkestrale e Këlnit) do të japë në tetor në Shqipëri, shkruan dw.de.

“Procesi i afrimit me BE, të cilin qeveria e re por e promovon me të gjitha forcat, i bën njerëzit në Shqipëri, por edhe në BE dhe në Gjermani që të hapen më fort ndaj njëri-tjerit dhe mësojnë që ta kuptojnë njëri-tjetrin”, tha konsullja e nderit në Landin gjerman Nordrhein-Westfalen, Anduena Stefan, në fjalën e hapjes.

Tingujt delikatë, por të plotë dhe të qartë të pianos mbushin sallën, kur artisti Desar Sulejmani interpreton tri pjesë të shkurtra të kompozitorit Limoz Dizdari. Tingujt çajnë ajrin, publiku dëgjon me interes, me vemendje, në qetesi. Repertori, që ka përzgjedhur kompozitori Desar Sulejmani, është klasik, popullor dhe modern. Ai është një udhëtim në muzikografinë shqiptare. Sulejmani e fut publikun në historinë e traditës së muzikës në Shqipëri, njeh publikun me kompozitorët kryesorë me jeten dhe rrethanat, në të cilat kanë krijuar, duke i ilustruar me pjesë muzikore. Melodia e shtruar dhe melankolike e jares shkodrane del qartë, kur çelistja e re Jola Shkodrani, interpreton një pjesë nga Ymer Skenderi, themeluesi i shkollës së violonçelit në Shqipëri. Jola Shkodrani jeton dhe studjon prej vitesh në Gjermani dhe ka marrë një kulturë shumë perëndimore në lidhje me lojën në violoncel. Përveç pjesës së mjeshtrit Skenderi ajo interpreton ndjeshëm edhe pjesë nga kompozitori Aleksander Peçi.

Muzika klasike ia lë vendin muzikës popullore shqiptare, e cila percillet me mjeshteri nga bashkëshortja gjermane e dirigjentit Desar Sulejmani, Jessica, e cila me interpretimin me pasion dhe origjinalitet të këngës popullore shkodrane bën një ilustrim i gjallë se si funksionojnë normalisht në jetë urat, për vendosjen e të cilave do të kontribuojë ky projekt muzikor. Publiku gjallërohet, bëhet më i interesuar, kënga e huaj është më pranë. Jessica, që flet mirë shqip, thotë më pas se „pjesëmarrja ime ka të bëjë me dashurinë për vendin, tërheqjen, që kam, përsa i përket muzikës popullore dhe moderne shqiptare.“

Më pas muzika popullore shkodrane gërshetohet mrekullisht me miniaturat pianistike të Tonin Harapit, i ashtuquajturi Schubert-i shqiptar, i cili me talentin dhe dashurinë për këngën popullore, ka ditur t’i ngrejë në piedestalin e merituar në repertorin pianistik shqiptar. Pjesa pianistike L’Aura nga kompozitorja e re shqiptare Eriona Rushiti, tregoi më së miri, kthesën për mbarë dhe lidhjen me muzikën aktuale botërore, që repertori pianistik shqiptar ka përqafuar prej vitesh me rradhë.

Pjesëtarë të aktivitetit janë edhe dy piktorë shqiptarë me banim në Gjermani Alfred Dade dhe Sali Allmuça. Piktori Alfred Dade thotë se punimet tona shërbejnë për të krijuar një ambjent të ngrohtë një sfond mikpritës të kësaj mbrëmjeje muzikore. Ai ka vendosur në sallë dy skulptura dhe dy punime me vaj, një natyrë të qetë dhe një kompozim. Sali Allmuça, që ka një stil tjetër nga Dade, ka sjellë pejsazhe të ngrohta, ëndërrimtare, të punuara me vaj. „Arti im bazohet në dashurinë, që kam për traditën kombëtare dhe pasqyron këtë“, thotë Allmuça.

Këmba tjetër e urës lidhëse të këtij projekti „ Ndërtojmë ura“ do të jetë në Shqipëri, në tetor, kur Këlner Orchester Gesellschaft njëqindanëtarëshe nën drejtimin e Desar Sulejmanit do të japë koncerte në Shkodër, Tiranë dhe Korçë.