E-Diaspora
Aktivitet përkujtimor në 70 vjetorin e masakrimit të çamëve
Homazhe simbolike viktimave çame nga masakrat greke..Deklaratë apeli nga 14 shoqata iu dërgua BE-së, OSBE-së etj.
Këshilli Koordinues i Shoqatave Kulturore në Vjenë ka organizuar manifestimin në përkujtim të tragjedisë së popullsisë çame nga forcat greke. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Mysafir rasti ishte Tahir Muhedini, deputet përfaqësues në parlamentin shqiptar i shqiptarëve të Çamërisë. Kishin ardhur bashkëkombës nga e gjithë Austria, mes tyre shkrimtarë, artistë, krijues e veprimtarë.
Në vitet 1944-45 u krye tragjedia më e rëndë, shfarosëse ndaj popullsisë çame. Gati paralelisht ndodhi masakra tjetër tragjike ndaj shqiptarëve e njohur si Masakra e Tivarit. Mosvlerësimi dhe harresa e dy masakrave gjenocide nga shteti diktatorial komunist dhe shërbyesit e pushtuesit sllav, është një tjetër krim brenda vet kombit shqiptar, i ndarë ideologjikisht dhe në shërbim të shkatërrimit kombëtar.
Tani pas gjithë këtyre ndryshimeve progresive ndaj errësirës ideologjike komuniste dhe lirisë së trevave etnike shqiptare, krijohen mundësi të trajtimit, vlerësimit e përkujtimit për të parën herë masakrën e Çamërisë. Formimi i Këshillit Koordinues i disa shoqatave kulturore në Vjenë nga aktivistët e veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare, hapi shtigje të reja aktivitetesh. Salla e bukur ishte përplot me mërgimtarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, mes tyre edhe nga Çamëria. Dita e 27 qershorit është shpallur si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmin grek”. Forcat armike greke në këtë datë ushtruan terror masiv me përmasa gjenocidi, ku u masakruan mijëra çamë dhe mbi 35 mijë prej tyre u dëbuan nga vatrat e tyre duke iu aneksuar toka e pasuria dhe u pamundësohet kthimi i tyre edhe pas 70 vjetëve.
Tubimin e hapi Dr.Dr.Ilir Çaushi nga Instituti i Kulturës Shqiptare “Aleksandër Moissi” në Vjenë. Kurse vështrimin rreth masakrës greke ndaj Çamërisë e mbajti Petrit Begati (Kasemi): “Padrejtësisht krahina shqiptare e Çamërisë u shkëput nga Kongresi i Ambasadorëve të Londrës prej tërësisë së truallit etnik shqiptarë më 11 gusht të vitit 1913 duke iu bashkuar Greqisë. Popullata e Çamërisë iu nënshtrua represionit grek gjithmonë me propagandën e greke sikur po sillnin barazinë, qytetërimin e respektimin e të drejtave njerëzore. Kjo fasadë propagandistike shoqëronte nënshtrimin e Çamërisë dhe çamëve, jo vetëm që ka mashtruar dhe vazhdon ta mashtroj opinionin e gjerë por pësoi një nga fatkeqësitë më të mëdha që nga koha antike e këtij populli. Ky pushtim solli shkatërrimin e vlerave, vrasje masive duke përfshirë këtu edhe vrasjet fëmijëve. Çamëve iu mohuan të drejtat e tyre në shkollim në gjuhën shqipe të lashtë stërgjyshore që nga pellazgjishtja duke vazhduar me gjenocid ndaj tyre në vitet 1944 e 1945. Ky represion me përmasa gjenocidi u përcoll më shpërnguljet masive të çamëve, veçan atyre të religjionit mysliman. Ishte ky një plan i përgatitur e studiuar shumë vjet më parë duke kujtuar këtu dy projekte famëkeqe që ka njohur Ballkani: “Naqertania” serbe dhe “Legalites” greke për shfarosjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga territoret autoktone. Që nga aneksimi i Çamërisë greket kanë organizuar vrasje masive të planifikuara…. Sipas Marrëveshjes së Llozanos të vitit 1943/44 mes autoriteteve greke dhe aktorëve ndërkombëtarë, u dëbuan nga territoret çame mijëra familje shqiptare, pothuaj se u boshatisën Parga dhe rrethina e saj, Kosturi, Konica, Janina etj. pra një spastrim etnik i formës së veçantë. Në vitet dyzetë, pak para pushtimit të atyre viseve nga fashistët gjerman, grekët organizuan burgosjen dhe internimin e meshkujve shqiptarë në ishujt e Mesdheut që nga mosha 16 vjeçare e tutje, duke lënë vetëm gra e fëmijë të pa mbrojtur të cilët iu nënshtruan plaçkitjeve, dhunimeve, shkatërrimeve të vazhdueshme nga bandat kriminale greke. Ishin këto kampe internimi të tipit të fashistëve të Mauthausenit për shfarosje masive.
Në ngjarjet tragjike që pasuan më vonë çarqet greke duke propaganduar, se gjoja çamët bashkëpunuan me gjermanët dhe rrethanat e krijuara gjatë luftës, favorizimet e saj, realizoi aktin e fundit gjenocid ndaj popullsisë myslimane çame i filluar më 27 qershor të vitit 1944 dhe i përfunduar më masakrën e fundit të Varnanit me 13 mars 19945 kur s’kishte asnjë forcë gjermane në Çamëri…. Vetëm brenda 27 qershor 1944, ditë e martë, u ekzekutuan mbi 600 shqiptarë çamë nga EDES-i grek nën komandën e famëkeqit Napoleon Zerva…. Kjo mbetet një nga ditët më të zeza të kombit shqiptar…. Mbi 10% e popullatës çame e vrarë dhe e masakruar nga të cilët 2900 të moshuar dhe të rinj, gra të dhunuar dhe mbi 35 mijë të shpërngulur nga trojet e tyre. I vetmi faj i tyre ishte pse ishin shqiptarë dhe jo grekë… Tragjedia çame dhe vepra armiqësore greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë ka vetëm një emër: gjenocid e spastrim etnik… Ka ardhur koha që shteti shqiptar t’i japë fund qëndrimit të tij pasiv nda çamëve e Çamërisë”.
Në emër të shqiptarëve të Çamërisë përshëndeti deputeti Tahir Muhedini, i cili falënderoi të pranishmit për respektin që po tregonin në përkujtim të tragjedisë së vëllezërve të tyre çam. Gjatë këtij aktiviteti u shfaqën filma dokumentarë që risjellin në kujtesë ngjarjet e hidhura që kanë kaluar shqiptarët e Çamërisë si dhe dëshmi nga të mbijetuarit e masakrave.
Abdullah Abdullahu, përfaqësues i Shoqatave lexoi deklaratën ku bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të tregojë një interesim dhe kujdes edhe ndaj kësaj pjese të braktisur të Evropës dhe të kujtoj se dhe fëmijët e shqiptarëve të Çamërisë kanë të drejtën natyrale dhe historike për vatrat e tyre stërgjyshore.
Ishte një ambient i rrallë përplot emocione, ku nuk mungonin lotët. Dhimbja në shpirt trazonte secilin, veçan kur takoj mik e mikeshë çame. Para të vinte pamja e vendlindjes e cila të pret me gjithë bukuritë e vuajtjet e saj.
Hazir Mehmeti
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve Një studim i porositur nga SEM ka zbuluar se autoritetet përgjegjëse nuk e verifikojnë sistematikisht vërtetësinë... -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35










