Kosova

Kosovarët prijnë në aplikimin për viza pune në Gjermani

Së fundmi Instituti GAP, në bashkëpunim me organizatën gjermane Expert Council of German Foundations on Integration and Migration (SVR) kanë organizuar një tryezë diskutimi në Berlin, ku është prezantuar raporti i përbashkët me titull “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”.

Instituti GAP dhe Expert Council of German Foundations on Integration and Migration (SVR) në Berlin prezantuan studimin “Emigrimi i fuqisë punëtore nga Kosova në Gjermani”, shkruan albinfo.ch.

Në tryezën e organizuar me këtë rast, përpos përfaqësuesve të Institutit GAP nga Kosova dhe nikoqirëve gjermanë nga SVR, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Qeveria e Gjermanisë (Ministria e Jashtme, Ministria e Ekonomisë), organizata ekonomike gjermane etj. Të pranishmit me një fjalë i përshëndeti edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Mbi 17 mijë viza pune për kosovarët ka lëshuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë vetëm për 2017-2018. Përveç Gjermanisë, viza pune kanë lëshuar edhe Sllovenia dhe Kroacia. Deri në fillim të dhjetorit Sllovenia ka lëshuar mbi 10 mijë viza të përkohshme për qytetarët kosovarë, të cilët kanë të drejtë pune në këtë vend.

Fotografia e Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani/Botschaft der Republik Kosovo

Raporti vlerëson efektet pozitive dhe negative të emigrimit në ekonomitë e të dy vendeve. Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80% janë miratuar. Por, vetëm 40% e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24% e tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët. Raporti ofron edhe të dhëna mbi sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, ku prijnë ndërtimtaria, hotelieria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit. Raporti poashtu pasqyron edhe potencialin për emigrim edhe më të madh pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020. Duke krahasuar vendet e lira të punës në secilin sektor të tregut gjerman të punës me trendet aktuale të punësimit në Kosovë, Instituti GAP ka bërë edhe projeksione mbi rreziqet e emigrimit të profesionistëve të Kosovës në vitet e ardhshme.

Fotografia e Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani/Botschaft der Republik Kosovo

Raporti është mirëpritur nga të pranishmit meqë për herë të parë në diskutimet publike jo vetëm që janë ofruar të dhëna mbi numrin e punëtorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por janë analizuar edhe efektet e dëmshme që paraqet kjo valë e migrimit.

Fotografia e Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani/Botschaft der Republik Kosovo

Në fjalën e tij, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, përmendi integrimin e shpejtë të qytetarëve të Kosovës në tregun e punës në Gjermani, pa lënë anash edhe disa prej barrierave që po punohet që të tejkalohen sikurse njohja e patent shoferëve. Analisti nga organizata gjermane European Stability Inititative (ESI),Adnan Cerimagic, foli për emigrimin si fenomen të përbashkët për gjithë rajonin, me theks në vendin e tij të origjinës Bosnje dhe Hercegovinë. Z.Jan Schneider, nga organizata partnere SVR, tha se rregullat e emigrimit të fuqisë punëtore të Gjermanisë u japin përparësi shtetasve të Ballkanit, por qeveria gjermane duhet të analizojë edhe pasojat ekonomike dhe socio-kulturore të Kosovës dhe rajonit para se rregulli i emigrimit të vazhdohet përtej vitit 2020. Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashme të Gjermanisë, znj. Christiane Hullmann tha se synimi i vendit të saj nuk është vetëm të tërheq njerëzit e kualifikuar nga Kosova por edhe të ndihmojë që Kosova të jetë vend atraktiv për qytetarët e saj. Ndërkaq, z. Helge Tolksdorf përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë, përmendi rastin e kampit të teknologjisë dhe inovacionit në Prizren, si shembull të angazhimit gjerman për të krijuar vende pune në Kosovë. Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues nga Unioni i Ndërtuesve Gjerman, Agjenica e Punësimit të Gjermanisë, shoqata të bizneseve gjermane, përfaqësues të fondacioneve të ndryshme gjermane, si dhe analistë nga organizata kërkimore.

 

Të gjeturat e raportit do të diskutohen në një tryezë të ndarë edhe në Prishtinë në ditët në vazhdim.