Lajme
Kosovë: Rreth 300 pacientë me kancer u infektuan me Covid-19
Rreth 300 pacientë me kancer, janë infektuar edhe me koronavirus. Profesionistë shëndetësorë thonë se asnjë rast që ka qenë duke u trajtuar për sëmundje malinje, nuk ka vdekur nga koronavirusi.
Në Kosovë, rreth 300 pacientë të cilët vuajnë nga kanceri, janë prekur edhe me COVID-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi. Kështu tha Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton RTK, përcjell Albinfo.ch.
“Shumica nga ta e kanë tejkaluar pa ndonjë vështirësi të madhe. Në Klinikën e Onkologjisë nuk ka pasur asnjë pacient të hospitalizuar me kancer dhe COVID. Kanë qenë deri në 10 persona që janë hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe Pulmologjike. Gjithë të tjerët janë hospitalizuar në shtëpi. Më pas, kanë vazhduar trajtimin në Institutin Onkologjik për sëmundjet malinje’’, deklaroi Kurtishi.
Ai shtoi se asnjë person që ka pasur kancer dhe ka qenë në trajtim në institutin onkologjik, dhe në ndërkohë është infektuar me koronavirus, nuk ka vdekur. Të gjithë pas infeksionit i janë rikthyer trajtimit.
“ Në bazë të dhënave që ne kemi, nuk ka vdekur asnjë person. Mund të ketë pasur ndonjë rast që ka qenë i lirë nga sëmundja malinje dhe të ketë pasur ndonjë komplikim. Por rastet që ne i kemi pasur në klinikë dhe i kemi trajtuar, pas infeksionit janë kthyer në klinikë dhe kanë vazhduar trajtimin’’, tha ai.
Lindita Berisha, infektologe, njëherësh drejtoreshë e Klinikës Infektive në QKUK, bëri të ditur se pacientët që kanë pasur sëmundje malinje, dhe janë trajtuar në Klinikën Infektive janë me imunitet më të ulët, e që për ta kanë pasur terapi mbështetëse pak më të forcuar, e cila ndikon në rritjen e imunitetit të tyre.
“Ka pasur pacientë të shtrirë në Klinikë Infektive, pra pacientë me karcinoma e që janë infektuar me koronavirus. Shërimi i tyre ka shkuar relativisht mirë, mund të them”, tha ajo.
Ndërkohë, nga muaji mars i vitit 2020, kur u paraqitën rastet e para me koronavirus në Kosovë, e deri në muajin maj, kanë qenë vetëm dy persona, të cilët vuanin nga kanceri, të prekur me COVID-19. Më pas, siç tha Kurtishi, ka filluar të rritet numri i të infektuarve, e që totali tashmë ka arritur në rreth 300.
Në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar 1370 raste të reja me kancer, derisa viti 2019 është përmbyllur me 1567 raste të reja.
Ndërkaq ekspertë shëndetësorë ndërkombëtarë tashmë kanë deklaruar se personat e prekur me kancer nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin.
Ata kanë veçuar sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull, pacientët me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë e rënduar.
E-Diaspora
-
Video
Kurti mban tubim në Cyrih Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës... -
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Sa të papunë janë në Zvicër Shkalla e papunësisë është ngjitur në nivelin e saj më të lartë që nga kriza e... -
Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore -
Zvicra, e dhjeta në mesin e vendeve më të lumtura në botë -
Zvicra synon kthime më të shpejta azilkërkuesve të refuzuar -
Fshati Blatten, një vit pas rrëshqitjes së dheut u rihap pjesërisht












