Lajme
Mbretëresha Elizabeth II përcillet në amshim
Britania e Madhe dhe bota po përcjellin të hënën në amshim Mbretëreshën Elizabeth II, në një funeral shtetëror që do të mbledhë presidentë dhe mbretër, princa dhe kryeministra dhe deri në një milion njerëz në rrugët e Londrës, për t’i thënë lamtumirën e fundit një monarkeje, 70 vjet të mbretërimit të së cilës përcaktuan një epokë.
Një ditë e mbushur me ngjarje rreth funeralit në Londër dhe Windsor filloi herët kur dyert e sallës 900-vjeçare të Westminsterit u mbyllën pasi qindra mijëra veta ishin mbledhur para arkivolit të saj që nga 14 shtatori. Shumë prej tyre kishin kaluar net të ftohta jashtë për të bërë nderimet e tyre rreth arkivolit të mbështjellë me flamur të mbretëreshës në një vërshim emocionues të pikëllimit dhe respektit kombëtar.
Mbyllja e sallës shënoi fundin e më shumë se katër ditëve të qëndrimit të arkivolit në “Westminister Hall” dhe fillimin e funeralit të parë shtetëror të Mbretërisë së Bashkuar që nga ai i vitit 1965 për zotin Winston Churchill, i pari nga 15 kryeministrat që shërbyen gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Elizabeth. Dy ditë para vdekjes së saj më 8 shtator në vendpushimin e saj veror në Balmoral, mbretëresha emëroi kryeministren e saj të fundit, Liz Truss.
E hëna është shpallur një ditë pushimi për nder të Mbretëreshës Elizabeth, e cila vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare. Funerali i saj do të transmetohet drejtpërdrejt në më shumë se 200 vende dhe territore në mbarë botën dhe do të shfaqet para turmave në parqe dhe hapësira publike në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Në mbrëmjen para funeralit, Mbreti Charles III publikoi një mesazh falënderimi për qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën, duke thënë se ai dhe gruaja e tij, Camilla, janë “prekur tej mase” nga numri i madh i atyre që dolën për t’i bërë nderimet e tyre Mbretëreshës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nderohet soprano shqiptare Ermonela Jaho “E pranoj këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e prite... -
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ -
Kurti takim me studentët shqiptarë në Zvicër -
Politikanët shqiptarë të Zvicrës kundërshtojnë nismën “Jo Zvicrës 10 milionëshe” -
Rusia sulmon kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev
Jeta në Zvicër
-
Zug nis matjen zyrtare të çmimeve të qirave Kantoni më i shtrenjtë në Zvicër po kërkon më shumë transparencë në tregun e banesave... -
Zviceranët punojnë më pak se mesatarja evropiane -
LDK me tubim në Vjenë të Austrisë, marrin mbështetje nga bashkatdhetarët -
Zvicra po rritet më shpejt se pjesa më e madhe e Evropës -
Debati për “10 milionë banorë” në Zvicër: Kush po emigron realisht?











