Lajme

Macron: Destabilizimi po “kërcënon” shoqëritë tona

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se demokracitë në mbarë botën, përfshirë atë në Shtetet e Bashkuara, ndodhen në krizë pas vitesh të tëra presionesh dhe destabilizimi.

I pyetur në një intervistë për CNN nëse është i shqetësuar edhe për Amerikën, Macron është përgjigjur se është i shqetësuar për të gjithë.

“Urrej të mbaj leksione dhe t’u them njerëzve se jam i shqetësuar për ju, por besoj se në lojë është ajo që ndërtuam në shekullin e 18-të”, ka deklaruar Macron.

Lideri francez i ka mëshuar tezës së tij, duke cituar trendin në rritje të nacionalizmit dhe populizmit, si dhe përhapjes së racizmit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se jemi në një krizë të madhe demokracie. E kam fjalën këtu për ato që janë demokraci liberale. Përse? Së pari sepse duke qenë shoqëri të hapura dhe shumë bashkëpunuese, vendosja e popujve nën presion mund t’i destabilizojë ata”, ka thënë Macron./Reuters