Teatër
„Zürich Shqip Up Festival“, mbrëmja kur qeshja me lot ishte “e garantuar”
Shqip Up Festivali ka bërë bashkë aktorët më në zë të fushës së Stand Up Komedisë, të cilët vinin nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia Veriore
Paralajmërimi ishte se dyert për në „Zürich Shqip Up Festival“ do të hapeshin në orën 18:00, por mysafirët e parë arritën aty një orë më herët, diçka që për organizatorët ishte një shenjë e mirë.
Edhe pse salla ku do të mbahej kjo ngjarje të jepte përshtypjen se është më se e mjaftueshme, doli të mos jetë ashtu, për të “strehuar” mbi 400 të interesuarit e ardhur nga shume vende te Zvicrës, po edhe nga Kosova, Anglia e disa vende të tjera fqinje.
Edicioni i parë i „Zürich Shqip Up Festival“, i cili mëton të jetë tradicional, u mbajt të shtunën afër Zürichut, qytet ky që ka “dendësinë” më të madhe të komunitetit shqiptar në Zvicër. Platforma mediale albinfo.ch ishte partner medial i aktivitetit.
Duke e shpallur të hapur mbrëmjen, moderatorët: aktori Fatmir Spahiu dhe gazetarja Alisa Buzhala, ftuan në skenë Konsullin e Republikës së Kosovës në Zürich, z. Sami Kastratin për një fjalë përshëndetëse ndërsa në emër të organizatorëve të pranishmit i përshëndeti aktori dhe producenti Ridvan Murati.
Si edicion i parë, Shqip Up Festivali, kishte ftuar për të marrë pjesë aktorët më në zë të fushës së Stand Up Komedisë, të cilët vinin nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia Veriore.
Duke qenë se kjo ngjarje kulturore mbahej në një rajon gjermanishtfolës të Zvicrës, ishte Olivia, aktorja zvicerane, ajo që bëri një hyrje duke interpretuar pikat e veta në gjuhën lokale, e duke shkaktuar kështu mjaft të qeshura nga publiku.
Pikat e përgatitura nga aktorët: Kushtrim Qerimi, Olivia, Artan Ibishi, Hasim Memishi Sopi, Ernest Zymberi dhe për fund nga Avni Shkodra, bënë shpesh herë që ata të ndalonin me programin për shkak të të qeshurave që shkaktonin në publikun e pasionuar për këtë zhanër të komedisë.
Ndërkaq, temat e trajtuara nga aktorët ishin të llojllojshme, si ato nga përditshmëria, përballja me pandeminë, varësia nga rrjetet sociale e të tjera.
Duke qenë se në Zvicër ka shumë kohë që ka fare pak aktivitete kulturore, organizimi i „Zürich Shqip Up Festival“, për publikun e shumtë, që kishte marrë rrugë nga shumë vende të Zvicrës dhe të Evropës, ishte diçka që atij i kishte munguar më së shumti.
Pos të qeshurave masive, si një ndër komunitetet më të mëdha në Zvicër, shqiptarëve të këtushëm u kishin munguar edhe takimet me njëri-tjetrin, apo edhe njohjet e reja. Prandaj edhe për shumë nga ta pos komplimenteve për organizimin e këtij festivali, vinte natyrshëm edhe pyetja e radhës për organizimet e tjera nga PlanK dhe PlanB, si organizatorë të festivalit.
Edhe pse ishte një ambient shumë familjar, ku shumë nga të pranishmit ishin së bashku më të afërmit e tyre, organizatorët u përballën edhe me „vërejtje“ të shumta, sepse gjatë natës së të shtunës, shumë nga ta kishin edhe dhembje barku nga të qeshurat, apo kishte edhe nga ata që mund t`i bartnin pasojat e ndezjes së muskujve të fytyrës gjatë ditëve në vijim, prapë nga të qeshurat.
E „vërejtjet“ e tilla ishin objektivi kryesor i organizatorëve Ridvan Murati dhe Alban Hamza, të cilët ishin më se të kënaqur me gjithçka që e përcolli festivalin.
„Ishte një natë magjike. Kemi qeshur shumë, kemi dëgjuar muzikë të bukur shqipe, por mbi të gjitha e gjitha kaloi më mirë se e kishim planifikuar“, u shprehën ata për albinfo.ch, duke premtuar që së shpejti do të dalin me organizimet e reja.
Pos aktorëve, pjesa tjetër e mbrëmjes vazhdoi me muzikë të mirëfilltë shqipe nga super Trioja “Dont listen to your neighbours“, të cilët me tingujt e tyre elektrizuan edhe më tej atmosferën.
„Zürich Shqip Up Festival“, një projekt që zë fill tek në vitin 2019, pa më në fund dritën më 19 nëntor të këtij viti. Ai u përkrah nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e Republikës së Kosovës dhe disa kompani të tjera private me pronarë shqiptarë në Zvicër.
Autor i fotografive: Rromir Imami, albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Teatër
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide Një studim i ri ndërkombëtar sugjeron që i gjithë ekosistemit të tokës duhet t'i kushtohet më... -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana -
Niveli i rrezikut 3: Alarm për stuhi në disa kantone zvicerane -
Ligjet e reja zvicerane që hyjnë në fuqi nga sot -
Numri i të vdekurve nga zjarri në Crans-Montana shkon në 41





















